Komuna e Skenderajt me disa aktivitete për 1 qershor

Komuna e Skenderajt me këngë, valle e recitime e ka shënuar 1 qershorin më rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se ka pritur një grup fëmijësh në kuvendin komunal për të parë nga afër funksionimin e organeve komunale.

Jashari siç shprehet në rrjetin social ‘Facebook’, fëmijët kërkojnë vëmendje dhe kushte më të mira në çdo aspekt të jetës.

“Dhe pa politikë por me sinqeritet të lartë kemi bashkëbiseduar shumë hapur për shumë çështje që u takojnë atyre, kryesisht për objekte shkollore, salla të sporteve, hapësira gjelbëruese dhe parqe ku ata mund të kalojnë kohën e lirë”, ka shkruar Jashari.

Ndërkaq, në Sheshin “Adem Jashari”, me pjesëmarrje të fëmijëve të moshave të ndryshme është mbajtur programi artistik, me këngë, valle e recitime.