Komisioni Rekomandon 2.4 Milionë Euro për RTK-në

RTK-ja këto mjete i kërkoi nga komisioni për 3 muajt e parë të 2016, duke paraqitur bashkë me kërkesën edhe planin për shpenzimet në periudhën janar-mars 2016.

Ismet Bexheti kryetar i Bordit të RTK-së kërkesën për këto mjete financiare e arsyetoi me planifikimin e investimeve që tejkalojnë buxhetin e këtij institucioni.

“Viti 2016 është një vit i investimeve, kemi bërë edhe një kërkesë shtesë, sepse vetëm digjitalizimi i brendshëm mbërrin më shumë shifrën sesa këto që janë ndarë për 6 muaj,“ tha ai.

Pastaj kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Naser Osmani rekomandoi dhënien e këtyre parave.

“Mjetet buxhetore prej 2 milionë e 400 mije eurosh për periudhën janar-mars 2016, për t’u transferuar në llogarinë e Radio-Televizionit të Kosovës (RTK) nga buxheti I konsoliduar për këtë institucion,” rekomandoi Osmani për Ministrinë e Financave.

Sipas ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, RTK-ja para fillimit të tremujorit të dytë  duhet të dorëzoj në Kuvendin e Kosovës programin e shpenzimeve për periudhën prill-qershor 2016 si dhe raportin e shpenzimeve të bëra për tremujorin e parë të 2016-ës.