KGjK, BIRN e FOL nënshkruajnë marrëveshje për monitorim

Organizatat BIRN-it dhe Lëvizja ‘FOL’ sot nënshkruan memorandum mirëkuptimi me KGjK-në për monitorim të drejtpërdrejtë të punës së Këshillit Gjyqësor dhe punës së Gjykatave në Kosovë.

Ky memorandum u nënshkrua në kuadër të programit për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), i cili ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përmes kësaj marrëveshjeje organizatave BIRN dhe Lëvizjes “FOL”, do t’i mundësohet monitorimi i drejtpërdrejtë i punës së Këshillit Gjyqësor dhe punës së Gjykatave në Kosovë me synimin që të përmirësohet dhe matet efikasiteti, llogaridhënia, transparenca, trajtimi i barabartë i palëve në procedurë, pa-anshmëria si dhe të rekomandohet evitimi i mangësive në trajtimin e rasteve gjyqësore.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi i KGjK-së Skender Çocaj, ka pritur në takim Drejtoreshën e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Jeta Xharra dhe  Drejtoreshën e Lëvizjes ‘FOL’, Mexhide Demolli.

Pas nënshkrimit të memorandumit kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj, i ka falënderoi të dy organizatat jo qeveritare me të cilat kryesuesi Çocaj tha se përherë ka pasur bashkëpunim, bashkëpunim për të cilin tha se do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Memorandum i Mirëkuptimit, i cili është nënshkruar ndërmjet KGjK – BIRN dhe Lëvizjes ‘FOL’ do të fillojë së zbatuari nga 1 Korriku 2019 dhe do të zgjasë  deri më 31 dhjetor 2020.