Kërkon 4,900 euro dëmshpërblim nga kompania e sigurimeve

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor, në kontestin ku i dëmtuar është Ibush Dina

Sipas padisë në aksidentin që kishte ndodhur në shtator të vitit 2015 në fshatin Vaganicë të Mitrovicës, lëndime trupore kishte pësuar tani paditësi Ibush Dina.

Bazuar në padi deri të aksidenti kishte ardhur me fajin e ngasësit të automjetit i cili në padi evidentohet me shifrën ‘A’. I njëjti në vendin e lartcekur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës kishte humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe kishte kaluar në anën e kundërt të rrugës ku edhe kishte goditur automjetin ‘B’.

Si pasojë e kësaj lëndime të shumta trupore kishte pësuar paditësi Ibush Dina.

Përmes kësaj padie, paditësi kërkon nga kompania e sigurimeve “Sigkos” që t’i paguhet shuma në vlerë prej 4.900 euro për lëndimet e shkaktuara në ketë aksident.

Ndërsa në seancën e mbajtur ne gjykatën e Mitrovicës janë dëgjuar mendimet e dy mjekëve Avni Xhafa, ortoped, dhe Muhamet Karameta, psikiatër.

Mjeku Xhafa pas ekzaminimit të drejtpërdrejtë të paditësit Ibush Dina ka dhënë mendimin e tij profesional lidhur me gjendjen shëndetësore të paditësit, duke treguar për lëndimet që kishte pësuar paditësi në pjesën e krahut për shkak të këtij aksidenti. Xhafa nuk i ka cilësuar si të rëndë lëndimet në pjesën e fytyrës që kishte pësuar paditësi.

Kurse mjeku Muhamet Karameta gjatë dhënies së mendimit të tij ka thënë se frika fillestare të cilën e kishte përjetuar paditësi Ibush Dina fillimisht kishte qenë e përjetuar në formë të frikës nga vdekja dhe kërcënimi direkt për integritetin e tij fizik. Ndërsa frikë të intensitetit më të lartë, sipas mjekut psikiatër, paditësi kishte përjetuar për rreth pesë ditë duke iu shoqëruar me simptome të ankthit të përgjithshëm – frikë nga procedura mjekësore, frikë nga invaliditeti, çrregullime të gjumit e të tjera.

Pas dëgjimit të mendimeve nga mjekët palët ndërgjyqëse, në këtë rast paditësi Ibush Dina me avokatin e tij Nexhat Syla dhe përfaqësuesi i palës së paditur kompanisë së sigurimeve “Sigkos” Amir Gashi kërkuan shtyrjen e seancës për një afat të caktuar me qëllim që të paraqesin propozimet eventuale apo edhe ndonjë marrëveshje lidhur me rastin.

Ky propozim me aktvendim u aprovua nga e gjyqtarit të çështjes, Naim Meholli.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 16 korrik.