Kaq aktgjykime publikuan gjykatat e Kosovës në muajin mars

Gjykatat e Kosovës kanë vazhduar me publikimin e aktgjykimeve edhe gjatë muajit mars 2020, përkundër situatës në të cilën ndodhemi.

Gjatë muajit mars të vitit  2020, gjykatat e Kosovës kanë publikuar gjithsej 1,159 aktgjykime, çka përbën një rënie krahasuar me muajin paraprak, ku ishin publikuar gjithsej 2,091 aktgjykime.

Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të punës me kapacitete të reduktuara të gjykatave të Kosovës,  për shkak të situatës në të cilën ndodhemi.

Gjykata Themelore e Prishtinës vazhdon të jetë gjykata me numrin më të lartë të aktgjykimeve të publikuara, me gjithsej 226 aktgjykime të publikuara.

Gjykata Themelore e Prizrenit vazhdon të jetë  gjykata e dytë me numrin më të lartë të aktgjykimeve të publikuara, ku ka arritur të publikojë gjithsej 219 aktgjykime.

Gjykata Themelore e Ferizajt e mbyll  top treshen e gjykatave me numrin më të lartë të aktgjykimeve të publikuara. Kjo gjykatë në muajin mars ka publikuar gjithsej 203 aktgjykime të publikuara.

Gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Prizrenit – Edije Sezairi është gjyqtarja që  ka publikuar më së shumti aktgjykime gjatë muajit mars  2020, me gjithsej 67 aktgjykime të publikuara.

Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve.

Gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim

Në vazhdim janë të dhënat në formë grafike për publikimin e aktgjykimeve që janë realizuar nga të gjithë gjykatat, gjatë muajit mars 2020:

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 mars – 31 mars 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në web-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 1,167 aktgjykime, që i bie të jenë 8 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave.

Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të dy aktgjykimeve të dyfishuara si dhe gjashtë aktgjykimeve të publikuara me gabime teknike.

Edhe gjatë muajit mars është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në Departamentin e Kundërvajtjes, kanë dalë në pension apo janë suspenduar. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit mars.

 

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.