Kandidatja për deputete që synon të punësojë sa më shumë njerëz

Anesa Çollakoviq nga Partia e re Demokratike Boshnjake “NDS”, në një intervistë për KALLXO.com thotë se kauza e saj është punësimi i komuniteti boshnjak në të gjithë Kosovën e në veçanti në komunën nga vjen ajo, Mitrovica.

“Kauza të cilën kisha me shty e që për mua është prioritare është punësimi i komunitetit boshnjak  në komunën e Mitrovicës. Kemi pothuajse hiç të punësuar në disa drejtori, në drejtorinë e arsimit nuk kemi të komunitetit boshnjak që janë të punësuar, në drejtorinë e kulturës nuk kemi të komunitetit që janë të punësuar dhe në administratë përgjithësi në komunë  nuk kemi të punësuar kemi vetëm një person në zyrën për komunitete jo shumicë”, tha Çallakoviq.

Çallakoviq mendon se taksa e duhanit duhet të rritet në Kosovë sepse si e tillë ajo i shërben edhe mbrojtjes së shëndetit të njerëzve. Ndërsa sa i përket taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ajo ka deklaruar se duhet të hiqet.

Çallakoviq thotë se edhe pse vjen nga komuniteti boshnjak përkrahjen e saj nëse bëhet deputete do ta ndjejnë edhe komunitetet tjera në Mitrovicë.

“Edhe pse vi nga komuniteti boshnjak dhe e përfaqësoj komunitetin boshnjak vlen të ceket që në Mitrovicë në vitin 2016-2017 ende pa u futur në politikë pasi që jam kthyer nga SHBA-së kam punuar në ndërtimin e një biblioteke për komunitetin  rom ashkali egjiptian dhe kam punuar me ta dhe i di problemet ato prioritare që ballafaqohet ai komunitet qoftë ne lagjen 2 korriku qoftë ne lagjen e mahallës kështu që përveç komunitetit boshnjak që në Mitrovicë i kemi di kund rreth 500 veta të cilët unë do i përfaqësoj do ti përkushtohem edhe për shkak të shoqërisë edhe për shkak të punës time që kam kontribuar në ato dy vende dhe komunitetit rom ashkali egjiptian”, theksoi Çallakoviq.

Ajo gjithashtu ka shtuar se amendamenti i parë që do ta propozojë, do të jetë mbjellja e 1000 drunjve në secilin qytet, çdo vit.

Kandidatja për deputete nga NDS është deklaruar kundër qeseve të plastikës, hidrocentraleve. Kurse ndërtimin e termocentralit nuk do ta kundërshtojë nëse ai i përmbush standardet që mos të ndotët ambienti.

Ajo është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës ndërsa nuk deklarohet ne lidhje me ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Çallakoviq është deklaruar për edhe për bartjen e shamisë nëpër shkolla.

“Besoj që është e drejtë e çdo kujt të identifikohet si dëshiron kështu që jam për”, potencon Çollakoviq.

Për deklarohet edhe për martesat në mes të gjinisë së njëjta ashtu edhe për kuotën për deputetet nga diaspora.

Ajo thotë së është kundër heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën mirëpo është për ridizajnimin e skemës për veteranët e luftës.

Çollakoviq thotë se momentalisht mban tri vende të punës, të cilat i sjellin të ardhura mujore rreth 600 euro.

“Kompania ime qe unë kam filluar biznes është një aplikacion teknologjik është biznes virtual me të cilin një ekip po e bëjmë vullnetarisht në mënyrë që të rrisim punësimin në Mitrovicën e veriut dhe jugut kjo vlen për mjeshtrit në fusha specifike   për shembull molerët që kemi problem me i gjet zakonisht ekziston aplikacioni dhe mundesh mej porosit online me te ardh në shpi, tjetra është mësimdhënia jap mësim të matematikës edhe jam themeluese e një organizate jo-qeveritare”, tha Çallakoviq.

Kandidatja nga qyteti ku janë minierat kryesore të Kombinatit Trepça thotë se ajo duhet të privatizohet.

“Varet nga kush është ofruesi i blerjes po unë kisha me shkua me privatizim për shkak te gjendjes se deri tanishme  dhe mënyrës ilegale si funksionon ne shumicën e rasteve”, potencon Çallakoviq e cila gjithashtu ka shtuar se do të angazhohet…

“Ndërtimi i shkollës  për komunitetin boshnjak dhe komunitetin shqiptar është shkolla “Nonda Bulka” e cila ka të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës është shkollë të cilës i ka humbur e drejta dhe tani është që 20 vite refugjat prej një shkolle në shkollën tjetër, e gjurma është ajo që me ndërtua një shkollë të re ku ajo shkollë definitivit ka me pas vendin e vetë”, ka vazhduar Çallakoviq.

Ajo tha se do të japë dorëheqje nëse i ngrihet aktakuzë dhe se do e votojë edhe një qeveri që i ka mbi 15 ministri.

Gjithashtu ka shtuar se një ministri duhet ti ketë katër zëvendësministra të komuniteteve jo shumicë.