Onkologjia photo

Kanceri, Armik në Rritje

Në Kosovë vitin e kaluar janë trajtuar 808 raste të reja tha onkologu Ekrem Hyseni në Klinikën e Onkologjisë me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit.

“Nuk ka vend për panik në kuadër të këtyre rasteve të reja. Aplikim kimioterapie kemi bërë në mbi 16 mijë raste, kurse në total ky institucion i ka dhënë rreth 28 mijë kontrolle,”  tha Hyseni.

Sipas tij Klinika e Onkologjisë trajton pacientë edhe jashtë kufijve të Kosovës ata nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci dhe rreth 15 pacientë nga Tirana.

“U kontribuojmë me ilaçe relativisht të shtrenjta kësaj pjese,”  tha Hyseni.

Nafije Latifi nga Shoqata Kosovare për Luftën Kundër Kancerit të Gjirit Jeta/Vita tha se më në fund ekziston një adresë ku pacientët mund të marrin shërbimet e nevojshme.

“Kohëve të fundit kemi mbulueshmëri të kënaqshme me barna”  tha Latifi.

Nga 808 rastet e zbuluara vjet, më së shumti kishte të diagnostifikuar me kancer të gjirit.

Ndërsa Ragip Gashi nga Podujeva që ishte në këtë Klinikë për të qëndruar afër bashkëshortes që po i nënshtrohej kimioterapisë tha se është i kënaqur me punën e mjekëve.

“Sa i përket mjekëve jam duke u befasuar nëse nuk ka ndonjë maskë. Përtej maksimumit jom i kënaqur me stafin,” tha Gashi për KALLXO.com.

Por sipas tij shpenzimet janë të mëdha.

“Sot terapinë e parë që e ka filluar me marrë jom duft me ble, më thanë që nuk ka. Sëmundja nuk pret duhet me nga me lyp, me gjet,” tha ai.

Vitin e kaluar edhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani e pranoi se kishte mungesë të barnave që përdoren për lehtësim të kancerit.

http://kallxo.com/kosova-pa-citostatike-ne-diten-boterore-kunder-kancerit/

Ndërsa Klinika e Onkologjisë vlerësoi në janar të këtij viti se furnizimi i vjetëm me citostatikë mbuloi 85 deri 92 për qind të nevojave.

http://kallxo.com/qkuk-808-raste-te-kancerit-ne-2015-en/