Kamenica Punëson Zjarrfikësin me të Kaluar Kriminale

Një raportim në KALLXO.com ka zbuluar se Komuna e Kamenicës jashtë kritereve të konkursit ka punësuar një zjarrfikës me precedent penal.

Në maj të vitit 2015, Komuna e Kamenicës kishte hapur një  konkurs për pranimin e 5 zjarrfikësve. Sipas kritereve të shpallura të konkursit të asaj kohe kandidatët përpos dokumenteve të tjera do të duhej të kishin edhe të kaluar të pastër kriminale.

Një vit më vonë KALLXO.com zbulon se ky kriter nuk është respektuar në rastin e punonjësit I. Syla, i cili tashmë është i dënuar me 1,200 euro gjobë nga Gjykata e Kamenicës për organizim ilegal të lojërave të fatit.

Nga të dhënat gjyqësore del se zjarrfikësi i punësuar në kohën kur kishte aplikuar për punë akuzohej nga Prokuroria Themelore në Gjilan se në fshatin Kopërnicë, nga vjen edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, ka marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit edhe përkundër që i njëjti nuk kishte licencë.

KALLXO.com ka siguruar edhe certifikatën e cila është lëshuar nga Gjykata e Kamenicës më 18 mars 2015, e cila nënvizon se Syla ishte i ndjekur penalisht nga Prokuroria e Gjilanit.

Zyrtarët e Komunës së Kamenicës nuk dhanë ndonjë përgjigje të qartë për mënyrën se si personi i ndjekur penalisht arriti të bëhet zjarrfikës duke shkelur kriterin e konkursit që kandidatët duhet të kenë të kaluar të pastër kriminale.

Faton Biqkaj, shef i personelit, nëpërmjet emailit ka thënë për KALLXO.com se verifikimi i të kaluarës së kandidatëve ka qenë punë e komisionit përzgjedhës.

“Përderisa komisioni ka bërë verifikimin e dokumenteve dhe ka zhvilluar procedurat e intervistimit nuk besoj të ketë pasur padrejtësi ndaj dikujt. Sipas ligjeve në fuqi, ndaj vendimeve të komisionit për kandidatët e suksesshëm pas publikimit të tyre secila palë e pakënaqur ka të drejtën e ankesës në afat prej 30 ditësh në Komisionin Komunal të ankesave”, ka thënë Biqkaj.

Zyrtari i Komunës së Kamenicës nuk di detajet të tjera për zjarrfikësin i cili pasi ishte punësuar në Komunë ka vazhduar procesin gjyqësor ku edhe është dënuar.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Kamenicës në bazë të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë, zjarrfikësi i Kamenicës është dënuar me 2 muaj burgim, dënim ky i cili është kthyer në dënim me para prej 1,200 eurosh.