Kallëzimi i Kurtit Kundër Policisë i Jepet një Prokurori

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka konfirmuar për KALLXO.com, se lënda e kallëzimit penal të Albin Kurtit ndaj Policisë së Kosovës i është ndarë një prokurori pranë kësaj prokurorie.

Ish-kryetari I Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, më 21 tetor të këtij viti kishte dorëzuar një kallëzim penal kundër Policisë së Kosovës për mënyrën se si ishte arrestuar nga forcat e rendit më 12 tetor.

Kurti në kallëzim pretendon se ishte ndaluar në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa sipas kallëzimit, policia gjatë arrestimit të ish-liderit të “Vetëvendosjes” ka kryer privim të kundërligjshëm të lirisë dhe keqpërdorim të detyrës, ose autoritetit zyrtar.

KALLXO.com e ndoqi minutë pas minute arrestimin e Kurtit më 12 tetor. 

Kurti aktualisht ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua më 28 nëntor nën dyshimet për aktivizim të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit.

Sot “Vetëvendosja” paralajmëroi dërgimin e 80 kallëzimeve penale në Pallatin e Drejtësisë në lidhje me ndërhyrjen e policisë në selinë e këtij subjekti për ta arrestuar Albin Kurtin.