Jemi kundër korrupsionit në energji

Të dashur qytetarë, të dashur kallxues dhe ju biznesmenë të ndershëm të vendit,

Duke u nisur nga parimi që mbrojtja më e mirë është sulmi, këtë muaj ekipi ynë është gjetur në një seri sulmesh që synojnë ta mbulojnë korrupsionin në energji në përpjekje për ta lidhur raportimet e ekipit tonë për korrupsionin në energji si favorizim të importit të energjisë nga Serbia.

Në portale e keni parë se emri ynë është keqpërdorur duke na linçuar si njerëz që po dëshirojmë t’i ndalojmë investimet në energji dhe krej kjo pasi treguam që Blerim Devolli i ka regjistruar katër kompani në Maltë e me to ka hyrë në listë të ZRrE-së për të përfituar tarifa nxitëse për prodhimin e energjisë solare.

Pretendimi shpifës se jemi “të lidhur me Serbinë” nuk janë diçka e re për ne pasi shpesh kur kemi zbuluar korrupsionin jemi etiketuar si të tillë nga grupet të cilave u kemi gjetur punët “nën tavolinë”.

Por populli nuk është budallë e kur i sheh faktet e ka të lehtë ta ndajë mendjen se kush është “proserbi” këtu.

I madh e i vogël e dinë që nuk është interes i Serbisë të luftohet korrupsioni në Kosovë. Duke e proklamuar Kosovën si vend të korruptuar, Serbia çdo ditë vazhdon të marrë poena politikë në fushatën e vet kundër shtetësisë së Kosovës.

Kush është fajtori në këtë mes: ne që po raportojmë, apo ju që po e bëni korrupsionin?

Jemi apostrofuar se jemi kundër çdo investimi që është kryer dhe do të kryhet në energji.

Në fakt ne nuk jemi kundër, por vetëm kemi raportuar për ato që po ndodhin.
Puna e gazetarit është të raportojë për interesin e publikut dhe ky është parimi ynë. Të tjerët edhe mund të raportojnë prerjen e shiritave pa e analizuar se ku fshihet lepuri.

Në këtë frymë kemi raportuar që tërë distribucioni i energjisë elektrike vite më parë shkoi për 26 milionë euro, e poashtu kemi raportuar që dota paguajmë rrymën shumë më shtrenjtë me kushtet e nën të cilat ishte lidhur marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Kemi raportuar edhe për kompanitë që në emër të investimeve në hidrocentrale po i lënë pa ujë qytetarët e po i prishin lumenjtë.

Tash së fundmi po na thonë se jemi edhe kundër energjisë diellore sepse i zbuluam kompanitë e Devollit. E zbuluam edhe që kompania e anëtarit të ZRRE-së merr tenderë prej Devollit.

Ne e dimë që kur prishim strofulla që në kurriz të qytetarit të varfër tentojnë të përfitojnë miliona, do jemi cak i këtyre sulmeve por kjo ia vlen. Ia vlen për gazetarinë, ja vlen për interesin publik, ia vlen për qytetarin e Kosovës.

Ia ka vlejtë edhe në të kaluarën pasi me qindra të arrestuar e dhjetëra aktakuza e dënime janë shqiptuar pas raportimeve tona.

Për ata që kanë vëmendje të lexojnë këto janë edhe argumentet pse ne raportuam për energjinë solare.

Përgjigja ndaj reagimeve

Lexoni edhe reagimet e Devolli dhe SHERK