Jahjaga: Kosova më e Rëndësishme se Secili Prej Nesh

Presidentja jahjaga gjatë fjalimit në Kuvend tha se askush individualisht nuk është më i rëndësishëm se Kosova.

Në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, Presidentja Jahjaga dënoi ashpër atë që po ndodhë në katër muajt e fundit në Kuvend.

Presidentja tha se qytetarët nuk e meritojnë këtë situatë.

“Qytetarët u shndërruan në spektatorë të një dhune dhe arrogance te paparë. A është e mundur që njerëzit që qytetarët u besuan ta bëjnë shtetin e goditën mu këtë shtet,” tha Jahjaga.

Ajo bëri të ditur se Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.

“Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh dhe qytetarët e Kosovës nuk na e kanë borxh të na durojnë asnjërin prej nesh,” tha Jahjaga.

Jahjaga më tutje tha se është munduar të gjejë zgjidhje, por ose është refuzuar, ose është kushtëzuar.

“Jam e bindur se në vend që ta sfidojmë shtetin tonë, zgjidhja qëndron te një dialog i munguar se ku po shkon dhe ku po e çojmë këtë shtet,” tha Jahjaga.

Ajo më pas foli për kompromisin pozitë-opozitë.

Kompromisi fillestar dhe hapi i parë përtej politikës ditore mes pozitës dhe opozitës. Këto propozime do të jenë testament i klasës politike që në rend të parë ta vendosë interesin e vendit. Qytetarët e Kosovës nuk na kanë asnjë borxh për ta duruar një sjellje të tillë.

Përmendi edhe lotsjellësin dhe numrat.

Forcën e argumemntit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës as demokracia nuk mund të reduktohet në numra. Asnjëra palë nuk do të korrë fitore. Dhunë nuk do ta shndërrojmë në mjet politik, por askush nuk e gëzon të drejtën e arbitrit në Kosovë.

Jahjaga kërkoi që të mos humbet kohë.

“Investimi ynë është i përbashkët. Po humbim shumë kohë të çmuar për t’i shtyrë përpara reformat dhe për ta bërë Kosovën shtet të rendit e ligjit, për ta forcuar ekonominë. Po lëkundim besimin e miqve tanë pa të cilët konsolidimi i mëtejmë i shtetit tonë do të jetë i pamundur,” tha Jahjaga.

E fillova vitin duke i lutur qytetarët të mos e braktisin vendin dhe po e mbyll duke ju lutur juve deputetë ta vendosni dialogun me ata që ju kanë zgjedhë.

Jahjaga tha se vendi ynë duhet të bëhet vend ku mund të jetohet.

“Na duhet më shumë llogaridhënie. Llogaridhënie për bisedimet në Bruksel dhe për planet zhvillimore.Pa humbur kohë të ulen në tryezën e bisedimeve. Kompromiset janë të domosdoshme, synimet janë të qarta. Rruga është e përbashkët dhe nuk duhet ta përjashtojë askënd.Është koha e fundit që shteti ynë të bëhet vend për t’u jetuar”, Tha Jahjaga.

Jahjaga foli edhe për çështje tjera duke u ndalur sidomos te lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Tha se Kosova ka ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja, ndërsa nuk do të bëhet strehë e grupeve të tilla.

Ky është adresimi i fundit i Jahjagës para Kuvendit të Kosovës. Ajo këtë e përmendi në fjalim.

“[Ky është] adresimi im i fundit para këtij Kuvendi, nuk ka pasë nder më të madh për mua këto 5 vjet,” tha Jahjaga.