Jahjaga i Kërkon Akademisë Kontribut për Shtetin

“Akademia ka rol për të luajtur  në ndërtimin e shtetësisë të Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re. Shtetbërja e Kosovës bazohet mbi punën  e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë dhe në këtë rrafsh akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vetë për zhvillimin e vendit,” tha Jahjaga.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) shënoi sot 40 vjetorin e ekzistimit, ndërsa në këtë shënim përvjetori ishte i pranishëm edhe Kryeministri Mustafa.

Mustafa tha se kombi ynë ka arritur të qëndrojë fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë falë punës së akademikëve të Kosovës.

“ Kanë qenë akademikët tanë ata të cilët duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi ynë të mund të qëndrojë fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë,” tha Musatafa.

Kryetari I Kuvendit Kadri Veseli tha para të pranishmëve se legjislativi ditë më parë ka miratuar Ligjin për Akademinë e Shkencave dhe Arteve.

“Është një ligj që stimulon shtigjet e reja të hulumtimit akademik në kohën e sfidave globale të dijes dhe zhvillimit,” tha Veseli

Kryetari i kësaj akademie Hivzi Islami tha se në këto 40 vjet Akademia është ballafaquar me shumë sfida, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve politike në Kosovë.

“40 vjet për ne janë si 4 shekuj përshkuar me shumë specifika, ngritje dhe rënie si rezultat I zhvillimeve të gjëra politike dhe shoqërore në Kosovë. Kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni deri te përpjekja për zhbërje biologjike janë ngjeshur dhe pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi,” tha Islami.

Me praninë e tyre nderuan edhe kryetarë të akademive të  vendeve fqinje të cilët edhe ndanë dhurata për kryetarin e akademisë Hivzi Islami.