Franko Simatoviq në gjyq. Foto: MICT.
Ish-Zyrtari Serb Fajëson Mlladiqin për Krimet në Kroaci
Avokati mbrojtës i ish-zyrtarit të Sigurimit Shtetëror serb Franko Simatoviq, i njohur ndryshe si Frenki, i cili po rigjykohet bashkë me shefin e tij të shërbimit të Sigurimit të Shtetit në Serbi Jovica Stanishiq në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, kërkoi të mërkurën t’ia kalojë fajin për krimet e vitit 1991 Ratko Mlladiqit.
Gjatë marrjes në pyetje të një dëshmitari, avokati i Simatoviqit, Vladimir Petroviq, citoi një hyrje që Mlladiq, atëherë komandanti i Korpusit të Kninit të Armatës Popullore Jugosllave, shkroi në bllokun e tij të punës më 17 nëntor 1991, një ditë përpara sulmit të fshatit kroat Skabrnja.
Një nga detyrat e përmendura nga Mlladiqi në bllokun e tij ishte: “Të zhvendosej batalioni i armatosur drejt Skabrnjës dhe Nadinit, për t’i shfarosur ata.”
“Spastroni mirë zonën Nadin-Skabrnja,” thuhej në urdhrin e Mlladiqit për forcat e tij.
Avokati i Simatoviqit i sugjeroi dëshmitarit të mbrojtjes Marko Miljaniq, komandanti i forcës mbrojtëse të fshatit në Skabrnja, se “ato urdhra, fatkeqësisht, përfunduan në tragjedi në fshatin tuaj Skabrnja”.
“Ndoshta, s’jam i sigurt, por ndoshta,” u përgjigj Miljaniq.
Gjatë dëshmisë së tij të martën, Miljaniq tha se vullnetarët paraushtarakë serbë dhe policia vranë 75 kroatë, “kryesisht civilë” në Skabrnja më 18 dhe 19 nëntor 1991 gjatë sulmit nga Armata Popullore Jugosllave.
Sipas akuzave, forcat që kryen krimet në Skabrnja ishin nën kontrollin e Sigurimit Serb të Shtetit, i cili drejtohej nga të pandehurit Stanishiq dhe ish-zëvendësi i tij Simatoviqi.
Stanishiqi dhe Simatoviqi po rigjykohen për persekutim, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, që synonte të dëbonte në mënyrë të përhershme dhe me dhunë kroatët dhe myslimanët nga pjesë të mëdha të kroacisë Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominim serb.
Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.
Gjykata e Apelit vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.
Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.
Gjyqi vazhdon të enjten.
Megjithatë, Stanishiq nuk është i pranishëm në gjykatë sepse kjo e fundit e liroi atë përkohësisht deri më 27 shtator.
Sipas gjetjeve të doktorëve në Hagë dhe Serbi, Stanishiq po vuan nga një sëmundje kronike e sistemit tretës dhe nga depresioni.