Arkiv: Isa Mustafa ne konference per media Foto KALLXO.com

Isa Mustafa: Rezoluta e votuar në Kuvend nuk është zgjidhje për dialogun

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar rreth rezolutës së propozuar nga PSD, e votuar mbrëmë në Kuvend, lidhur me dialogun me Serbinë.

Sipas Mustafës, rezoluta e votuar në Kuvend nuk është zgjidhje për dialogun.

Isa Mustafa vlerëson se rezoluta e votuar është zgjidhje afatshkurtër për të mbetur në pushtet “koalicioni i dështuar qeverisës”.

“Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” Isa Mustafa.

“Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë. Një marrëveshje e qëndrueshme. Çdo veprim tjetër është blerje kohe dhe mashtrim.

Procesi dhe Marrëveshja eventuale për dialogun e ekipeve të improvizuara pa legjitimitet me votë të qytetarëve dhe e institucioneve pa legjitimitet kushtetues është në dëm të Kosovës dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga LDK”, ka theksuar i pari i LDK-së.