Intervista e plotë me ambasadorin gjerman Joern Rohde

Ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, në një intervistë në KALLXOPërnime ka folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit duke thënë se Gjermania nuk mendon që KFOR-i të marr nën kontrollë veriun e Kosovës.

Rohde ka thënë se mendon që dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi Millan Radoiçiqin, duke shtuar se për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit duhet të bëhet një hetim i plotë për të qartësuar shumë gjëra. Ai mes tjerash lavdëruar punën dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës.

Ambasadori gjerman gjithashtu ka folur për masat e BE-së kundër Kosovës. “Edhe ne jemi pjesë e BE-së, Sigurisht, ne po i aplikojmë masat” – u përgjigj ai në pyetjen e gazetares Jeta Xharra nëse Gjermania si shtet individual, po aplikon masa kundër Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë: 

Jeta Xharra: Ambasador Rohde, pak para se të vinit këtu për intervistë, Millan Radojçiq lëshoi një deklaratë duke thënë se ai merr përgjegjësinë për sulmin në fshatin Banjskë për ta shfajësuar Qeverinë e Serbisë, dhe se ai jep dorëheqje. Si e komentoni këtë deklaratë?

Ambasadori Rohde: Po, edhe unë e pashë që ai ka dhënë dorëheqjen si Zëvendës Kryetar i Listës Serbe. Dua të them, shumë nga këto zhvillimi janë absurde! Unë mendoj se dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi të. Ne mund të mos e kuptojmë kurrë për krejt atë që ka ndodhur në prapavijë, por është e qartë për mua se po të ishte sukses (ky akcion) atëherë suksesi do të kishte shumë baballarë apo prindër, e faji (apo dështimi) gjithmonë mbetet jetim.

Jeta Xharra: Pra, nëse ky sukses, nëse ky aksion do të rezultonte i suksesshëm (për Serbinë), a do të shihnim Qeverinë e Serbisë duke marrë përgjegjësi? Ose thjesht do të kishim shkuar me narrativën prap se shqiptarët e Kosovës janë gjithmonë ata që janë fajtorë, siç thoshte Vuçiqi (në konferencë për shtyp) fajin e ka Kurti dhe fajin për këtë aksion e ka Kurti. Kjo nuk është larg prej asaj që e thoshte komuniteti ndërkombëtar gjatë këtyre tetë muajve të fundit, duke e fajësuar në masë të madhe Kosovën, jo Serbinë.

Ambasadori Rohde: Unë nuk dua të spekuloj apo të bëj pyetje hipotetike por ajo që është e qartë tani është se ka ndodhur një sulm i tmerrshëm dhe vrastar dhe një polic u vra dhe kjo do të thotë se më nuk mund të vazhdojmë aty ku kishim mbet para këtij incidenti, e të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Duhen të kërkojmë përgjigje, duhet të bëhet një hetim i plotë që shpresojmë që do të qartësojë shumë gjëra. Autorët duhet të sillen para drejtësisë.

Jeta Xharra: Çfarë ka ndryshuar këtë herë, Ambasador? Ju nuk keni qenë një nga njerëzit kyç që fajësoni Kosovën deri më tani, por ne e kemi parë vetë dhe siç e dini edhe ju, ka pasur sanksione (masa) ndaj Kosovës në këta tetë muajt e fundit ndërsa nuk ka pasur asnjë sanksion për Serbinë. Sanksione apo masa, quajini si të doni. Kosova është trajtuar si viktima që e bëjnë budallë duke e bindur që vet ka faj për vujtjet që ja ka shkaktuar tjetri, është tentuar të shtrembërohet realiteti i fajësisë dhe në këtë moment, e kemi një xhirim i këtij droni me 30 burra (serb) të armatosur deri në dhëmbë më në fund që na mundëson ta ndiejmë një lloj katarze për t’i dëshmuar komunitetit ndërkombëtar atë që ka refuzuar ta shoh deri tash sepse keni thënë që Kosova është shkaktare e dhunës. Tash, a mendoni se ishte e padrejtë se si është trajtuar  Kosova në këto shtatë muajt e fundit me sanksione të vendosura kundër Kosovës e asnjë sanksion i vendosur ndaj Serbisë?

Ambasadori Rohde: Shikoni, unë gjithmonë do të bëja dallimin mes ngjarjeve që ndodhin dhe kur reagohet. Ky ishte një sulm dhe komuniteti ndërkombëtar menjëherë reagoi. Të gjithë e kanë dënuar këtë sulm. Ajo që kishte ndodhur më parë ishte një zhvillim politik dhe ne kemi reaguar edhe ndaj tij. Dua të them se tash më nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë, sepse kur ke transportues personal të armatimit, raketahedhës, granata dore, sulm të stilit ushtarak pra një sulm në territorin e Kosovës, ky është një sulm i drejtpërdrejtë kundër integritetit të Kosovës dhe si i tillë edhe duhet të vlerësohet. NATO është përgjigjur, siç e dini, e ka shtuar praninë e saj, gjë që ndodhi dje dhe ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën për së afërmi. Ajo që është për të bërë të ndihesh rehat, i qetë e i sigurtë, dhe këtë e kanë thënë të gjithë, është reagimi i Policisë së Kosovës që ishte shumë profesional dhe në koordinim të ngushtë me shërbyesit ndërkombëtarë të sigurisë, KFOR-in dhe EULEX-in.

Jeta Xharra: Dhe ju e personalisht e keni klasifikuar atë që ka ndodh, po e citoj “si sulm të tmerrshëm kriminal dhe terrorist” në një postim tuajin në Twitter. Falemnderit për këtë postim, por nuk është që edhe deri tash nuk kemi pas burra të dhunshëm e që dukeshin plotësisht të stërvitur për dhunë që po rrinin në barrikada edhe deri më tani, kishte grupe të armatosura (pro-ruse) me mbishkrimin ‘Z’, dhe përkundër kësaj bashkësia ndërkombëtare e fajësonte Kosovën! A duhet të bëhet situata vërtet shumë keq përpara se bashkësia ndërkombëtare të shohë se çfarë po ndodh apo siç thotë shprehja në anglisht “duhet të bëhet shumë bërllog puna” derisa të merrni ju seriozisht një çështje? Pra a duhet të derdhet gjaku dhe të xhirohen njerëzit e dhunshëm duke qenë të dhunshëm e të vriten disa para se komuniteti ndërkombëtar të kuptojë se çfarë po ndodh në veri?

Ambasadori Rohde: Përsëri po e them që ne tashmë qysh me 29 maj, ne kemi reaguar me shumë vendosmëri për këtë. Autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Kësaj radhe ne kemi vërtet autorë të krimit, ju i keni parë ngjarjet pasi që vdiqën njerëzit, pra kemi polic të vrarë. Edhe unë personalisht isha në ngjarjen përkujtimore për te bashkë me emisarin e shtetit tim për Ballkanin Perëndimor, shpreha ngushllime të mia direkt te fëmijët e policit të ndjerë. Kjo ishte koxha e vështirë! Dhe ajo që ndodhi më pas (në anën tjetër) ishte një glorifikim i kriminelëve dhe terroristëve, dhe siç e tha edhe ShBA, ne nuk marrim pjesë në këtë glorifikim.

Jeta Xharra: Mirë, nëse ka glorifikim të terroristëve në Serbi, unë do t’ju pyes drejtpërdrejt, a do të ketë masa kundër Serbisë? Apo masat do të vazhdojnë të jenë në fuqi vetëm kundër Kosovës?

Ambasadori Rohde: Siç e thashë, tash ne i vërtetuam faktet, madje edhe dje pashë një deklaratë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së i cili gjithashtu nuk përjashton masat e mundshme ndaj Serbisë nëse vërtetohet se ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë. Ajo që shoh deri më tani është se shumica e pajisjeve të gjetura afër fshatit Banjskë janë me origjinë nga Serbia.

Jeta Xharra:  Por në Serbi narrativa e këtij akcioni po shihet si i dhunshëm dhe agresiv ndaj këtyre njerëzve, pra kundër grupit të Millan Radojçiqit, që ata i shohin ata si heronj. Vuçiqi thotë se ky ishte një sulm i dhunshëm ndaj tyre. A jeni i sigurt se ky është një sulm i dhunshëm ndaj Kosovës, se ky ishte sulm terrorist në Kosovë?

Ambasadori Rohde: Mos ma kërkoni që ta vlerësoj unë gjithmonë narrativën që tani po shpërndahet në Serbi. Ne e kemi thënë qartë atë që mendojmë rreth kësaj. Ne të gjithë po bëjmë thirrje urgjente për de-përshkallëzimin, veçanërisht edhe të të fjalëve dhe glorifikimi i kriminelëve dhe terroristëve nuk kontribuon në shtendosje të situatës. Ministrja ime e ka bërë të qartë këtë po ashtu. Ne ia kemi bërë të qartë edhe Serbisë se presim një dënim të qartë të çdo dhune dhe heqje dorë nga dhuna. Kjo duhet të ndodhë sepse një sulm terrorist apo kriminal, ajo që ndodhi të dielën e kaluar, nuk mund t’i çbëjë faktet që kanë ndodhur në terren. Neve na duhet një zgjidhje politike.

Jeta Xharra: Por nëse Radojçiqi do të vazhdojë të mos arrestohet në Serbi për atë që ka bërë, a do të vazhdojmë pra sikur të mos ketë ndodhur asgjë, duke e toleruar Serbinë siç ka bërë komuniteti ndërkombëtar deri tash, ndoshta jo ju apo Gjermania, por komuniteti ndërkombëtar, neve pjesës tjetër të Ballkanit, po na duket ashiqare që po e toleron e merr me të mirë Serbinë.

Ambasadori Rohde: Hajt të ju kthej juve unë një pyetje. Pra nëse, edhe presidenti i Serbisë ka njoftuar se z. Radojçiq do të hetohet. 

Jeta Xharra :Jo hetohet por do të merret në pyetje… 

Ambasadori Rohde: Po. Por, nëse ky njeri tani ka rrëfyer publikisht se ishte autori i vetëm, ne kemi treguar se presim që autorët të dalin para drejtësisë. Pra, pasoja logjike do të ishte nëse autori i krimit e pranon fajin, atëherë autori i krimit duhet të sillet para drejtësisë.

Jeta Xharra: A bën ma direkt t’ju pyes, ju Gjermania si shtet individual, a jeni duke aplikuar masa kundër Kosovës? 

Ambasadori Rohde: Edhe ne jemi pjesë e BE-së, Sigurisht, ne po i aplikojmë masat.

Jeta Xharra: Pra, jeni dakord për me vazhdu masat kundër Kosovës për atë që paska bërë Kosova në tetë muajt e fundit, apo jo? Ju do të vazhdoni të jeni dakord me këto masa?

Ambasadori Rohde: Po. Siç thashë në fillim, ka dy gjëra të ndryshme, duhet të ketë një krizë, një incident, një incident të rëndë ku duhet të reagoni dhe të ndërmerren masa që janë vendosur për një arsye të caktuar dhe arsyet i ka thënë BE-ja më 3 qershor.

Jeta Xharra: Pra a s’po e shihni ju këtë ndërlidhje që me këtë sjellje ndaj Kosovës, që i keni qit sankcione e dënuar Kosovën ju e keni inkurajuar sjelljen ngacmuese të njerëzve të dhunshëm dhe në fund ata kanë marr zemër dhe krejt ka rezultuar me veprimin e javës së kaluar. A nuk po shihni që këto gjëra janë të ndërlidhura?

Ambasadori Rohde:Ajo që shoh tash është që është se nuk do të sillemi më sikur çdo gjë është sikurse më parë. E gjithë situata duhet rivlerësuar. Por faktet në terren nuk kanë ndryshuar. Ne kemi nevojë për më shumë dialog. Ne kemi nevojë për shtendosje nga të gjitha anët.

Jeta Xharra: Mirë, por nëse kemi nevojë për më shumë dialog nga të dyja palët, pse po e ndëshkoni vetëm njërën palë, apo kjo ndodh vetëm sepse mundeni?

Ambasadori Rohde: Jo, nuk po ndëshkojmë vetëm njërën palë. Për momentin, siç thashë, vlerësimi është ende në proces e sipër, dhe nëse edhe pala tjetër shihet qartazi që ka bërë shkelje, atëherë edhe mund të pritet diçka. Por unë nuk mund t’ju përgjigjem pyetjeve hipotetike.

Jeta Xharra: Një polic i zakonshëm është vrarë në veri sepse ndërkombëtarët u ankuan kur u dërguan forcat speciale në veri. A nuk dëshmon ky incident se nuk mund t’i luftosh ato grupe (të armatosura) pa polici speciale, apo mos është dëshmuar e kundërta për juve?

Ambasadori Rohde: Më falni, por më duhet t’ju korrigjoj. Asnjëherë nuk kemi thënë se nuk duhet të ketë polici speciale në veri. Gjermania e njeh sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin e saj, duke përfshirë operacionet e zbatimit të ligjit para këtij incidenti, gjatë incidentit dhe pas incidentit. E vetmja çështje apo e vetmja deklaratë që kemi bërë, është që policia speciale duhet për operacione speciale. Pra nuk ka nevojë për polici të posaçme për të bërë një kontroll të makinës së një familjeje.

Jeta Xharra: A ka ndonjë dëshmi që policia speciale ka bërë kontrollin e makinës së ndonjë familjeje?

Ambasadori Rohde: Ju kujtohet ngjarja e disa muajve më parë, kur mendoj se në një fshat, në Hoçë të Madhe ishte një djalë të cilit iu basis veraria. Kjo (bastisje) është bërë me polici speciale. Nëse dikush nuk e deklaron verën, nuk ka nevojë për polici speciale, sipas mendimit tim.

Jeta Xharra: Bëhet fjalë për një rast në Hoçë të Madhe për të cilën nuk i di detajet, por çkadi është që Afrim Bunjaku po bënte kontrollimin e një kamioni kur u vra. Një polic i thjeshtë po e kontrollonte, siç e morët ju një shembull (po e marr edhe unë) duke kontrolluar një kamion u vra njeri nga këto grupe. Argumenti juaj se nuk ju duhen forca speciale për të kontrolluar një makinë ndoshta hiç nuk pin ujë në këtë rast. 

Ambasadori Rohde: Varet nga situata, Jeta.

Jeta Xharra: Po pra, edhe unë po them që varet! Por si me dit ju paraprakisht se me çfarë forcash duhet të kontrollohet makina dhe se a do të rrezikohet  jeta e dikujt apo jo?

Ambasadori Rohde: Sigurisht që pas incidentit, siç thash, situata e sigurisë ka ndryshuar. Por ne kemi parë gjatë këtyre muajve kur vlerësimi ynë ka qenë, që nuk ka nevojë që një pikë kufitare, ndoshta në atë pikë në atë kohë që të ketë polici speciale.

Jeta Xharra: Tani që jemi këtu në këtë situatë, z. Sarrazin ishte më aktivi, i cili menjëherë erdhi në Prishtinë për t’u marrë me situatën. Unë jam e interesuar të di nëse Gjermania, duke qenë një vend mjaft fer deri më tani, a do të vazhdojë Gjermania masa kundër Kosovës apo do të kërkojë që ato të ndalohen? Ja duhet të rekomandoni të mirren masa ndaj të dyja vendeve, ja të rekomandoni heqjen e masave ndaj Kosovës, apo jo?

Ambasadori Rohde: Siç ju thashë më parë, nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike. Ne do ta rivlerësojmë situatën, ne presim që Kosova të bëjë atë që kemi thënë. Ne presim që edhe Serbia ta bëjë këtë. Duhet parë edhe ambientin politik. Ne kemi një Samit të Procesit të Berlinit pas dy javësh. Aktualisht dialogu ka stagnuar dhe ne duam ta rifillojmë atë. Të hënën e kaluar, siç u pa nga lajmet, këshilltarët politikë të SHBA-së, Italisë, Gjermanisë, Francës u takuan me Lajçacun për ta rifilluar dialogun dhe kjo është duke vazhduar. Ne duam një zgjidhje politike sepse nuk ka rrugëdalje ushtarake.

 Jeta Xharra: A do të takoheni, për shembull, me Rakiqin, që tani është përfaqësues i Listës Serbe e që është kaq afër aksionit terrorist të kësaj jave? Dhe Rakiq po ashtu po ndez qirinj për Radojqiqin. A do të takoheni me të?

Ambasadori Rohde: Ka shumë njerëz që ndezin qirinj, ndonjëherë për arsye të gabuar. Unë do të thoja se, jemi të premten mbrama andaj do ju lusja që të më lejoni të marr frymë që të  kem fundjavën time. 

Ambasadori Rohde: Por unë takohem normalisht me çdo akter politik të këtij vendi, opozitë, qeveri dhe kemi pasur shumë takime gjatë kësajjave.

Jeta Xharra: Për fund, Edi Rama ka kërkuar që KFOR-i të marrë në dorë situatën në veri. A e përkrah edhe Gjermania të njëjtën kërkesë që KFOR-i, e jo Policia e Kosovës, të merret me sundimin e ligjit në veri?

Ambasadori Rohde: Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i. Dhe nëse kërkohet nga Policia e Kosovës që të veprojë KFOR-i apo EULEX-i, ata do të veprojnë sipas rregullave. Por nuk ka pasur asnjë kërkesë dhe ne e kemi lavdëruar Policinë e Kosovës për trajtimin profesional të situatës. Nuk e shoh nevojën që KFOR-i të marrë përsipër këtë, sepse ne kemi një shtet sovran me një institucion të zbatimit të ligjit që ka vepruar shumë profesionalisht.

Jeta Xharra: Për të përfunduar me një pikë pozitive në këtë errësirë, thatë diçka që më la përshtypje që ju e vlerësuat dhe e konsideruat profesional dhe të mirë veprimin e Policisë së Kosovës gjatë fundjavës së kaluar. Si arritët në këtë përfundim, sepse ka narrativa të tjera (nga Serbia) që mendojnë se nuk ishte bash kështu. Thjesht çka e bën Policinë e Kosovës profesionale?

Ambasadori Rohde: Nuk jam i vetmi që arrita në këtë përfundim sepse kjo u përmend publikisht edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, z. Stano. Unë personalisht kam folur me kreun e Policisë, me komandantin e KFOR-it dhe të gjithë kanë thënë se ky është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe i mirë dhe duhet të vazhdojë si i tillë. Dua të them, sot në mëngjes ne folëm me Presidenten dhe unë gjithashtu përsërita se ky ishte një bashkëpunim i mirë dhe duhet të vazhdojë kështu, e veçanërisht në kohë të vështira, miqtë duhet të qëndrojnë krah njëri- tjetrit.

Jeta Xharra: Rohde, faleminderit që erdhët dhe kalofshi një fundjavë të mbarë!

Ambasadori Rohde: Faleminderit!