Vaksinimi kundër virusit Ebola - Foto: REL/AFP

Instituti i Shëndetësisë: Nuk ka raste të koronavirusit në Kosovë

Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ka treguar se në Kosovë nuk ka raste të koronavirusit.

Në një komunikatë të Institutit thuhet që IKShPK është duke monitoruar nga afër epideminë e sëmundjes respiratore të shkaktuar nga një koronavirus i ri i identifikuar për herë të parë në Wuhan, Provinca Hubei, Kinë.

Sipas Institutit rreziku për depërtimin eventual të virusit në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët, duke u bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, informatat nga terreni, përgatitjet e institucioneve shëndetësore për tu përballur me rastet eventuale të koronavirus, mungesa e linjave ajrore direkte me Kinën.

Instituti Kombëtar ka rekomanduar të gjitha Institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Policinë e Kosovës, AUV dhe punëtorët shëndetësor që të ngritin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

Instituti ka bërë thirrje që çdo rast i dyshimtë i sëmundjes të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (në kohë reale, sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe drejtpërsëdrejti në IKShPK.

Të gjitha institucionet shëndetësore të vazhdojnë të zbatojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (2005), rekomandimet e OBSH dhe ECDC.

Instituti bën të ditur se në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” është ekipi mjekësor, i cili po  mbikëqyr situatën në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

Instituti thotë se ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.

Në nivel global janë raportuar gjithsej 17.383 raste të konfirmuara me 2019 nCoV. Në Kinë gjithsej 17.220 raste të konfirmuara me 362 vdekje. Nga 362 raste të vdekjes, 361 janë në Kinë dhe një rast në Filipine. Jashtë Kinës: 163 raste të konfirmuara dhe 24 shtete të përfshira. Në Evropë janë raportuar 25 raste të konfirmuara në Gjermani, Francë, Itali, Mbretëri të Bashkuar, Rusi, Finlandë, Spanjë dhe Suedi.

Masat e parandalimit

  1. Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.
    2. Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
    3. Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.
    4. Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.
    5. Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
    6. Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
    7. Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.
    8. Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
    9. IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme.
    Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me koronavirus në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime për të cilat do të informoheni me kohë.