Foto: Kallxo.com

Inkasanti i KEDS, i akuzuar për 360 euro, pret vendimin e gjykatës

Ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj ish- inkasantit të KEDS-it, Arben Berisha.

Berisha po akuzohet se kishte përvetësuar paratë e klientëve sa ishte inkasant dhe pasi doli nga puna vazhdoi t’i mashtronte klientët e KEDS duke i marrë paratë për pagesën e rrymës.

Të martën para trupit gjykues fillimisht u dëgjua një dëshmitar, i akuzuari dha mbrojtjen e tij, për të përfunduar me fjalën përfundimtare të palëve në procedurë.

Dëshmitari Ramë Mujaj rrëfeu para trupit gjykues se të akuzuarit Arben Berisha ia kishte dhënë shumën e të hollave prej 70 euro në emër të pagesës për energji elektrike të lokalit të tij.

Sipas dëshmitarit ndërkohë në lokalin e tij kishin ardhur punëtorë të tjerë të KEDS-it, për ta shkyçur nga rrjeti elektrik, meqenëse pagesa që ai e kishte bërë te i akuzuari Berisha nuk ishte faturuar asnjëherë.

“Pastaj e kam takuar të akuzuarin, ai me premtoi se do ta paguajë rrymën dhe do ta sjellë faturën, por ai asnjëherë nuk e ka paguar rrymën”, shtoi dëshmitari Mujaj.

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Selim Lajqi, deklaroi se të hollat që ia kishte dorëzuar të akuzuarit ia kishte dhënë për pagesë të energjisë elektrike, e jo hua siç pretendonte mbrojtja e të akuzuarit.

Ndërsa dje ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitarja Nita Zeka, por për shkak të mungesës së saj, deklarata që e kishte dhënë gjatë fazës së hetimeve u konsiderua si e lexuar.

“Meqenëse dëshmitarja gjendet ne botën e jashtme, heq dorë nga dëgjimi i dëshmitares, të konstatohet si e lexuar deklarata e saj e dhënë në Prokurori”, tha prokurori Haxhi Sinanaj.

I akuzuari Arben Berisha në mbrojtjen e tij para Gjykatës, mohoi pretendimet e Prokurorisë së Pejës.

Sipas tij, të hollat që i kishte marrë nga të dëmtuarit i kishte marre pa qëllim mashtrimi, dhe atë për instalim të energjisë elektrike e në disa raste edhe si hua.

I akuzuari u pyet nga prokurori Sinanaj lidhur me detyrat e tij në KEDS, dhe për autorizimin e inkasimit të parave në kesh.

“Unë kam pasur autorizim nga drejtori që të bëj edhe inkasimin e mjeteve të energjisë elektrike, gjatë ditëve të javës dhe në fundjave. Kam qene shkyçës dhe lexues i orëve”, u përgjigj Berisha.

I akuzuari tha se drejtori Betim Elezaj nuk e ka thënë të vërtetën gjatë deklarimit të tij në seancë gjyqësore.

Prokurori Haxhi Sinanaj në fjalën përfundimtare para trupit gjykues deklaroi se, nga provat në shkresat e lëndës është provuar që në veprimet e të akuzuarit qëndrojnë elementet e veprave penale për të cilat ai akuzohet.

Prokurori shtoi se nga deklarata e drejtorit dhe përfaqësuesit ligjor të KEDS-it, vërtetohet se i akuzuari ka pasur përgjegjësi të bëjë vetëm shkyçjen e rrymës dhe leximin e orëve, e assesi të marrë të holla nga konsumatorët.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arben Berisha, avokati Selim Lajçi, në fjalën përfundimtare deklaroi se aktakuza e ngritur nga ana e Prokurorisë nuk dha prova qe i akuzuari i ka kryer veprat penale qe i vihen në barrë.

Andaj kërkoi qe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Sipas avokatit edhe po të vërtetohej kjo gjendje faktike, sipas dispozitave ligjore se përgjegjësia penale bie në personin juridik në këtë rast të KEDS-i.

Arben Berisha akuzohet se prej 19 dhjetor 2017 deri më 2 mars 2018 në cilësinë e inkasantit të KEDS-it, ka marrë të holla nga konsumatorët e ndryshëm, duke mos i dorëzuar ato para në zyrën e KEDS-it, por duke i përvetësuar.

Aktakuza ngarkon Berishën po ashtu, se paraqitet si punëtor i KEDS-it te konsumatorët përkundër që të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Gjatë kësaj periudhe ai akuzohet t’i ketë përvetësuar 360 euro nga faturat e konsumatorëve.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast bëhet të mërkurën.