Gjykimi për vrasjen e Nuredin Kastratit. FOTO: KALLXO.com

I akuzuari thotë se xhaxhai i tij kishte kryer vrasjen

Nipi dhe axha, Nasip e Tasim Zhuniqi po akuzohen për vrasje të rëndë të Nuredin Kastratitafër varrezave në një fshat të Rahovecit.

Brenda pak ditësh, pritet që gjykata e Gjakovës të shpallë vendimin për këta të dy të akuzuar, për të dytën here, pasi rasti është në rigjykim.

Përderisa, Tasim Zhuniqi ka pranuar fajësinë lidhur me këtë vrasje, nipi i tij, Nasip Zhuniqi po e mohon duke theksuar se vrasjen e kishte kryer vetëm xhaxhai i tij.

Prokurori Ali Uka, dy të akuzuarit i ngarkonte me veprën penale të vrasjes mizore në bashkëkryerje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjes pa leje.

Mirëpo paraprakisht prokurori bëri ricilësimin e veprës penale, duke e hequr mizoritetin dhe duke e lënë vetëm në vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Prokurori i rastit Ali Uka, tha se tashmë është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer vrasjen e Nuredin Kastratit.

“Janë vërtetuar të gjitha provat e aktakuzës, andaj i propozoj trupit gjykues që të njëjtit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”- tha prokurori Uka.

Ndërsa mbrojtësi i palës së dëmtuar  avokati Miftar Qelaj, duke e mbështetur deklarimin e prokurorit, fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi me shkrim pranë gjykatës.

“Shpresoj që gjykata do ta shqiptojë dënimin në bazë të rrethanave të vrasjes së kryer, por mendoj se duhet ta shikoni edhe njëherë heqjen e pikës së vrasjes mizore nga prokurori”- tha avokati Qelaj.

Në anën tjetër mbrojtësja e të akuzuarit Tasim Zhuniqi, avokatja Myrvete Qollaku tha se është e interesuar vetëm për të vërtetën.

“Duke pasur qëllimin e mirë, mendoj se klientit tim i është montuar ky rast, Tasimi ka qenë gjakftoftë por i habitur, ku e kemi parë edhe në CD”- tha avokatja Myrvete Qollaku.

Ndërsa i akuzuari Tasim Zhuniqi, para gjykatës  tha se është i penduar për vrasjen dhe se nuk ka dashur të bëjë vrasje.

I njëjti në seancën e kaluar e ka pranuar fajin dhe është mbrojtur në heshtje.

Mbrojtësja e të akuzuarit Nasip Zhuniqi avokatja Kosovare Kelmendi, duke kërkuar lirimin e Nasip Zhuniqit për vrasje, tha se prokurori i çështjes nuk tregoi guximin profesional.

“Është bërë praktikë gjyqësore që çdo aktakuzë të ndryshojë në fund të gjykimit. Te klientin im i gjejmë të gjitha akuzat përveq akuzës për vrasje”- tha avokatja Kosovare Kelmendi.

“Apeli thotë se nuk bëhet fjalë për vrasjen në bashkëkryerje, por për veprime të ndara”- tha Kelmendi.

Ajo tha se dëshmitari i mbrojtur, i cili ka dëshmuar në gjykatën e Prizrenit, ka qenë i përgatitur për të gënjyer.

“Pas 1 viti e disa muaj u paraqit dëshmitari i mbrojtur duke thënë të pavërteta, i cili sipas ligjit duhet të akuzohet për deklarim të rrejshëm”- deklaroi avokatja Kosovare Kelmendi.

“Permbajtja e CD-së e cila është dhuratë nga personi anonim është vulosja e pafajsisë së klientit tim”- tha ajo.

Ndërkaq i akuzuari Nasip Zhuniqi tha se as nuk i është afruar viktimës.

“Ndjej shumë keqardhje për këtë rast, ky rast më ka shkaktuar shumë trauma dhe vuajtje. I kërkoj falje familjarëve të tij si dhe të dëmtuarit Bardhyl që e kam goditur në automjet. Por ju betohem ne sinqeritetin më të madh se të ndjerin Nuredin nuk e kam vrarë unë e as që i jam afruar afër. Poashtu sa do që më dhemb më duhet të tregoj të vërtetën se vrasjen e ka bërë axha im”- deklaroj i akuzuari Nasip Zhuniqi.

Ndërkaq trupi gjykues i përbërë nga kryetari Nikollë Komani, Besarta Doli dhe Ilirjana Hoti, caktuan datën 18 qershor për shpalljen e aktgjykimit.

Prokuroria pretendon se Tasim dhe Nasip Zhuniqi, në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Nuredin Kastrati nga Prizreni.

Sipas aktakuzës duke u bazuar në disa mosmarrveshje të mëhershme që kishin të akuzuarit dhe i ndjeri, ditën kritike me armë Nasip Zhuniqi qëllon disa herë në drejtim të të ndjerit Nuredin Kastrati, i cili rrëzohet në tokë.

Aktakuza shpjegon se pasi që i ndjeri ishte rrëzuar në tokë nga të shtënat e Nasip Zhuniqit, më pas Tasim Zhuniqi ia merr armën nga dora Nasipit dhe disa herë qëllon në trupin e viktimës duke e lënë të vdekur.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, pasi që i akuzuari Tasim ishte dënuar me 16 vjet burgim ndërsa i akuzuari Nasip me 15 vjet burgim.

https://kallxo.com/eksperti-balistik-tregon-si-u-gjuajten-plumbat-qe-lane-te-vdekur-nuredin-kastratin/