Gjykimi ndaj Afrim Matoshit dhe të tjerëve në gjykaten e Ferizajt

I akuzuari të akuzuarit tjetër: Ma ke bërë me dorë në shenjë për ta hapur lauren e doganës

Në Gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca ndaj Afrim Matoshit, Bekim Ramushollit, Muhamed Beqirit, të cilët nga Prokuroria akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Fatmir Xhemshitit e Mustaf Smajlit, të cilët po akuzohen për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Seanca e sotme filloi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Muhamet Beqiri, i cili tha se leja për të dalë nga terminali doganor vlenë më shumë se për një hyrje por vetëm brenda ditës.

“Furgoni me mallra ka pasur për t`u kthyer edhe njëherë për tu mbushur me mall. Nuk kemi pasur asnjë bisedë me të akuzuarit e tjerë dhe nuk kemi biseduar lidhur me atë se çka ka nëpër maune”, tha i akuzuari Beqiri.

Tutje dy të akuzuarit e tjerë, Afrim Matoshi dhe Bakim Ramusholli, u ballafaquan nga Prokurori.

I akuzuari Bekim Ramusholli i tha Matoshit se ia ka bërë me dorë si shenjë qe ta hapë lauren në mënyrë që të dalë furgoni me mallra. Kurse i akuzuari Matoshi tha se deklarata sy më sy e Bekim Ramushollit nuk është e vërtetë.

Tutje, e dhanë mbrojtjen e tyre edhe dy të akuzuarit Fatmir Xhemshiti dhe Mustaf Smajli, të cilët e treguan versionin e tyre duke e kundërshtuar aktakuzën në gjitha pikat e saj.

Sipas Prokurorisë në muajij prill 2015, në terminalin doganor në Ferizaj, Afrim Matoshi në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” ka tejkaluar kompetencat e tij, e ka lejuar një automjet furgon të llojit “Fiat”, të cilin ishte duke e drejtuar Mustaf Smajli, që ishte e ngarkuar me mall tekstil dhe që kishte dalë pa fletëdalje nga terminali doganor “Fitorja”, ku pasi është kontrolluar malli në maunë dhe në kombi, për zhdoganim, është konstatuar se në bazë të faturave nuk përputhet vlera e mallit dhe është gjetur malli i padeklaruar dhe mall i deklaruar jo saktë në vlerë totale 240,278.91 euro.

Andaj, Afrim Matoshi sipas Prokurorisë  e ka kryer veprën penale  keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Tutje sipas Prokurorisë në datën dhe vendin e njëjtë, Bekim Ramusholli dhe Muhamed Beqiri me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe kompaninë “DARD Sh.p.k.” me dashje i ka ndihmuar personit zyrtar Afrim Matoshit të kryejë veprën penale.

Sipas aktakuzës pretentohet se Muhamed Beqiri në cilësinë e shpediterit nuk i ka plotësuar të dhënat e duhura për zhdoganim të mallrave për kompaninë “DARD Sh.p.k.”.

Ndërsa Bekim Ramusholli në cilësinë e  punëtorit të rampës në terminalin doganor “Fitorja” ka lejuar që nga terminali doganor pa fletëdalje të dalë furgoni i llojit “Fiat”, të cilin e drejtonte Mustaf Smajli.

Kështu, sipas Prokurorisë Muhamed Beqiri e Bekim Ramusholli kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës në ndihmë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë me qëllim që personit tjetër t’i mundësojnë shmangie nga pagesat e tarifave tatimore doganore që paguhen në rastin e importit apo eksportit të mallrave, nuk ka paraqitur dokument legal gjegjësisht kanë paraqitur rrejshëm, duke mos u nënshtruar pagesave doganore.

Gjithashtu pjesa tjetër e mallit që iu nënshtrua kontrollit doganor ka shkaktuar shmangie nga detyrimet doganore me çka ky mall me urdhër të Gjykatës është konfiskuar, e Mustaf Smajli në cilësinë e vozitësit ka ikur nga mbikëqyrja doganore pa paguar taksat për mallin me të cilën kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 66,335.46 euro.

E që sipas Prokurorisë, Fatmir Xhemshiti dhe Mustaf Smajli kanë kryer veprën penale shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj me fjalën përfundimtare të palëve më 24 nëntor.