Rigjykimi i Qamil Hetemit - Foto: KALLXO.com

I akuzuar për vrasjen e gruas, biznesmeni nga Ferizaj të martën mëson për herë të katërt vendimin e Gjykatës

Në Gjykatën e Prizrenit sot është dhënë fjala përfundimtare për herë të katërt në gjykimin e Qamil Hetemit, i cili po akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij më 2011.

Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur dy herë fajtor Qamil Hetemin dhe Gjykata Themelore e Prizrenit një herë për veprën penale të vrasjes.

Në të 3 herët biznesmeni nga Ferizaj ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 14 vjetësh, raporton KALLXO.com.

Tri herë Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në këtë rast, i akuzuari dhe mbrojtësit e tij, avokati Mexhit Syla dhe Rexhep Hasani, pretendojnë se e ndjera ka bërë vetëvrasje.

https://kallxo.com/afer-fundit-gjykimi-per-here-te-4-t-i-biznesmenit-nga-ferizaj-per-vrasjen-e-gruas/

Në fjalën përfundimtare, para trupit gjykues të përbërë nga Skender Çoçaj kryetar, e Artan Sejrani dhe Kymete Kicaj anëtarë, prokurori i shtetit Mehdi Sefa, dhe mbrojtësit e të akuzuarit avokat Mexhit Syla e Rexhep Hasani paraqitën fjalën përfundimtare

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare deklaroi se Prokuroria ngelet pranë aktakuzës, pasi që sipas prokurorit “edhe në rigjykim me provat shtesë pas ekspertizave dhe ekspertizës së ardhur nga Austria, edhe nga dëshmitarët dhe të dëmtuarit, nga të gjitha këto në tërësi është vërtetuar gjendja faktike sikurse në aktakuzë, se këtu i akuzuari Qamil Hetemi ka kryer veprën penale të vrasjes”.

Prokurori shtoi se nga ekspertizat e paraqitura kemi faktet se në dorën e djathtë të të akuzuarit janë gjetur mbetje baruti, ndërsa te dora e viktimës nuk është gjetur mbetje barutike, ashtu siç pretendon mbrojtja se është kryer vetëvrasje, raporton KALLXO.com.

Në përfundim prokurori Sefa i propozoj trupit gjykues që të njëjtin ta dënojë sipas ligjit, dhe me rastin e shqiptimit të dënimit të mos i jep besueshmëri deklaratës dhe mbrojtjes së të akuzuarit se “viktima kishte kryer vetëvrasje” pasi që, sipas tij, asnjë ekspertizë nuk e pohon një gjë të tillë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Qamil Hetemi, avokati Mexhit Syla, në fjalën e tij përfundimtare theksoi faktin se është hera e 4 që po paraqitet fjala përfundimtare, e sipas tij ”për fat të keq edhe sot po përballemi me të njëjtat refrene nga përfaqësuesi i akuzës, sepse Prokuroria nuk po e elaboron se me cilën provë se çka u vërtetua”.

Avokati Syla shtoi se të akuzuarit Qamil Hetemi që nga faza e hetimeve i janë shkelur një varg të drejtash të garantuara me të gjitha aktet vendore e ndërkombëtare.

Tutje, sipas mbrojtësit Mexhit Syla, është normale që Prokuroria e ka të vështirë dhe e ka të pamundur të vërtetojë diçka që nuk mund të vërtetohet sepse nuk ka prova që e mbështesin akuzën se Qamil Hetemi e ka kryer veprën penale të vrasjes.

Më tutje avokati Mexhit Syla vuri në dukje faktin se askush nga dëshmitarët, apo edhe nga të gjithë familjarët që janë dëgjuar si dëshmitarë, asnjëherë të vetme nuk kanë deklaruar se këtu i akuzuari Qamil Hetemi të ketë pasur probleme bashkëshortore dhe kjo rrethanë nuk u vërtetua asnjëherë ashtu siç pretendon Prokuroria.

Sipas avokatit Syla, në shqyrtime gjyqësore u vërtetua krejt e kundërta.

Ndërsa në përfundim avokati Syla deklaroi se ekspertizave që Prokuroria po u referohet, ku në dorën e të akuzuarit është gjetur mbetje barutike, i njëjti tha se për sa i përket kësaj prove, mbetjet barutike në dorën e të akuzuarit nuk mund të jenë si provë e vetme konkluduese, me të cilën vërtetohet kryera e veprës penale. “Pra kjo nuk mund të jetë prova e vetme me të cilën do të arrihet përfundimi se Qamil Hetemi ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet”, tha avokati.

Më pas, trupi gjykues vendosi që shpallja e aktgjykimit për këtë rast të bëhet të martën.

KALLXO.com raporton se në qershor të vitit 2017, Qamil Hetemi pas 5 vitesh qëndrimi në paraburgim ishte liruar, për të vazhduar gjykimi në liri.

Qamil Hetemi akuzohet se në shtator 2011 pas mosmarrëveshjeve me gruan e tij e ka qëlluar të njëjtën me armë zjarri, nga afërsia, duke i shkaktuar vdekjen.