Hulumtim: Në Kosovë historianët i trajtojnë në qendrat sociale familjet që kanë probleme

Një hulumtim i kryer së fundmi zbardhë se puntorët social të thirrur për tu marrë me trajtimin e rasteve të dhunës dhe parandalimin e hershëm të saj nuk kanë thirrje të duhura profesionale.

Të dhënat e siguruara na KALLXO.com tregojnë se nga 164 zyrtarë që punojnë në Qendrat për Punë Sociale vetëm 6 nga ta kanë shkollim universitar në degën e punëve sociale.

Të tjerët sipas hulumtimit janë të diplomuar në juridik, histori, ekologji, shkenca polike dhe fakultete të tjera.

Hulumtimi është kryer pas zotimeve të institucioneve të Kosovës se do trajtojnë personat dhe familjet e personave të kthyer nga lufta në Siri dhe Irak.

Në këtë proces Qendrat për Punë Socilale kanë obligime përfshirë sigurimin e kushteve të jetesës për familjet,këshillimin,ofrimin e ndihmës profesionale e deri tek identifikimi i faktorëve shtytës të ekstremizmit të dhunshëm.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregojnë që përpos mungesës së shkollimit pjesa më e madhe e zyrtarëve në QPS nuk kanë asnjë trajnim i cili do tu mundësonte të merreshin me procesin e risocializimit dhe ri- integrimit.

Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për KALLXO.com ka thënë se janë mbajtur disa punëtori për zyrtarët e shërbimeve sociale në lidhje me trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Sipas Demirit, në punëtorinë një ditore të mbajtur në vitin 2019 nga Zyra e Koordinatorit Nacional për luftimin e terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm me temën “akterët me përgjigjësi primare në luftim të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm” kanë marrë pjesë vetëm tre zyrtar social.

Në një punëtori dy ditore që është mbajtur vitin e kaluar me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit të organizatave të shoqërisë civile me institucione në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë” ka marrë pjesë vetëm një zyrtar social.

Një trajnim tre ditor që është mbajtur vitin e kaluar sipas Demirit kanë marrë pjesë nga dy apo tre zyrtar social nga QPS-të në nëntë komuna.

“Trajnim tre ditor: “Së bashku për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë”. Trajnimet janë mbajtur gjatë vitit 2020, me komunën/QPS-në e Prishtinës, Suharekës, Prizrenit, Ferizajit, Mitrovicës, Klinës, Kamenicës, Gjilanit dhe Vitisë nga “Partners Kosova – Center for Conflict Management-Kosovë”. (Nga 2-3 zyrtarë për çdo QPS)”, thuhet në përgjigjet e Demirit drejtuar KALLXO.com.

Mungesa e trajnimeve adekuate për të trajtuar rastet e parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm por edhe të të rikthyerve vëhet në pah edhe nga Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Han të Elezit, Amir Ibushi.

Sipas tij nuk ka pasur programe adekuate për të përcjell zyrtarët social pasi ato nuk janë paraparë fare.

Ibushi tregoi për trajtimin e tre fëmijëve të cilët janë rikthyer në Kosovë në Han të Elezit nga Siria vite më parë.

“Nuk kemi pasur trajnime. Ne si QPS kemi pasur kontakte me mësuesit e tyre që me pas një kujdes më të vecantë për shkak të rastit. Për fat të mirë na ishte mundësuar marrja e një psikologeje kur kanë ardhur fëmijët dhe kemi pasur kontratë gjashtë mujore me një psikologë e cila na ka ndihmuar shumë në trajtimin e këtij rasti”, tregoi Ibushi deri sa shton se sot QPS të cilën e drejton nuk ka psikolog.

Luljeta Berisha nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës thotë se mungesa e trajnimeve mund të krijoj vështirësi në shmangien e dëmeve të mundshmë që mund të shkaktohen në mungesë të informacionit apo njohurive për t’i trajtuar rastet e parandalimit të ekstremizmit dhe terrorizmit.

“Trajnimet nese zhvillohen sic duhet edhe nga ekspertet kompetent të fushës do të duhej të ndikojnë pozitivisht në zbutjen e paragjykimeve nga të tjerët që punojnë me këto familje, të kuptojnë qe individët nga ky komunitet janë të prekur nga traumat për shkak të përjetimeve nëpër të cilat kanë kaluar dhe të ofrojnë shkathtësi për të punuar me ta në mënyrën e duhur dhe profesionale që do të thotë t’i shmangen mundësive për t’i ri-traumatizuar individët e komunitetit dhe per t’iu ofruar ndjenjën e sigurisë dhe pranueshmerisë”, thotë Berisha.

Ajo shton se organizata të cilën e përfaqëson, ka mbajtur disa trajnime me psikologë të shkollave, mjek e infermierë.

“Jemi përqendruar kryesisht te komunat ku kemi familje te rikthyera nga Siria. Në këto trajnime kemi pasur 30 pjesmarrës përfshirë këtu stafin mjekësor nga KRCT dhe një ekspert të radikalizmit i cili ka qenë në cilësinë e prezantuesit”, tregon Berisha tutje. 

 Ajo shton se për shkak të kufizimeve buxhetore nuk kanë pasur mundësi që në këto trajnime të përfshijë edhe punëtorët social.

“Nevojën për të trajnuar punëtorët social për të punuar me këtë grup të ndjeshëm e kemi cekur edhe në raportin tonë nga vlerësimi i nevojave të institucioneve që merren me familjet e rikthyera”, tha tutje Berisha.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për të rikthyerit nga zonat e konfliktit si Siria e Iraku.

Mbi 10 emisione, dhjetëra hulumtime e shkrime të gjata të publikuara në KALLXO.com kanë treguar mungesat e institucioneve në Kosovë për të trajtuar rastet e terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.