Avdullah Hoti - Foto: Atdhe Mulla

Hoti thotë se qeveria e tij ka prioritet luftën kundër pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike

I nominuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër Avdullah Hoti, ka paraqitur para Kuvendit të Kosovës programin e tij nëse i besohet drejtimi i qeverisë.

Hoti, ka shpalosur disa pika mbi të cilat do të bazohet qeverisja e tij.

Fjalimin e tij Hoti e ka filluar me falënderimin ndaj stafit mjekësor i cili ka punuar vazhdimisht me pandeminë COVID- 19.

“Gjatë këtyre tre muajve ne kemi ndarë fatin e gjithë botës nga pandemia COVID- 19. E filloj fjalimin me falënderimin ndaj stafit mjekësor. U shpreh ngushëllime familjeve të prekurve nga kjo pandemi”, tha Hoti.

Përtej shëndetit Hoti ka folur edhe për dëmet ekonomike të pandemisë.

“Kur kemi pranuar këtë sfidë jo të lehtë por të pa alternativë për të marr drejtimin e qeverisë jemi nis nga interesi shoqëror. Jemi nis nga nevoja që kanë qytetaret për normalitet, nga bindja jonë se nevojitet gjithëpërfshirës barazi e solidaritet. Ne jemi komb që mund të ndërtojmë shtet të fuqishëm për të qenë pjesë e kombeve euroatlantike”, tha  Hoti.

Hoti ka përmendur disa pika mbi të cilat do ta bazojnë qeverisjen e tyre.

“Duhet të promovojmë mundësi të barabarta. Mbi këto postulata do ta bazojmë qeverisjen tonë dhe nuk do të lëvizim nga to me asnjë kusht. Qeveria do të ketë dy prioritete të menjëhershme lufta kundër pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike”, tha Hoti.

Krahas këtyre prioriteteve Hoti tha se do të jenë edhe disa pika tjera siç është forcimi i shtetit, integritetit dhe sovranitetit të tij, zhvillimi ekonomik, rritje të punësimit dhe investimeve, marrja e përgjegjësive kushtetuese për ta qu përpara procesin e dialogut duke mos lejuar sipas tij ndryshim të kufijve dhe territorit, zbatim i plotë i reformave evropiane si dhe respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

LIVE- Seanca për votimin e Qeverisë Hoti