Haskuka komenton aktakuzën ndaj zyrtarëve për rastin e “Abi Çarshinë”

Shtatë ditë pasi Prokuroria e Prizrenit ngriti aktakuzë ndaj gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka.

Me datë 20 Dhejtor  Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Inspektoratit Islam Thaçi dhe 5 zyrtarëve tjerë për rrënimin e aneks objektit pa leje të “ Abi Çarshisë” .

Haskuka thotë se në komunën e Prizrenit  deri në vitin 2017 janë ndërtuar rreth 17,000 ndërtime pa leje.

“ Kjo situatë ishte bërë aq e zakontë sa që 250 metra larg nga ndërtesa e administratës komunale janë ndërtuar objekte 13 katëshe pa leje “ thuhet në reagimin e Haskukës.

Haskuka foli për herë të parë për rastin e “ Abi Çarshisë “ duke thënë se është njëra ndërt ndërrtimet e trashëguara problematike, pasi që është konstauar se objekti ishte tërësisht jashtë vijave ndërtimore.

“ Në kuadër të mundësive ligjore ishim dakorduar që investitori të aplikojë për leje sipas Planit të Hollësishëm Rregullativ. Ashtu edhe është bërë, ku Komuna ka pajisur investitorin me leje. Por në muajt në vijim Inspektorati kishte konstatuar që investitori kishte vazhduar ndërtimin edhe në një pjesë pa leje “ vazhdon reagimin e tij Mytaher Haskuka.

Komuna e Prizrenit ka nxjerrë 7 aktvendime për ndalim të punimeve, rrënim vullnetar dhe rrënim të dhunshëm.

Sipas Haskukës gjatë kësaj kohe, pasi që operatori kishte vazhduar ndërtimin e kundërligjshëm, Komuna ka bërë 5 kallëzime penale për largim të shiritave dhe për vazhdim të ndërtimit të kundërligjshëm.

Haskuka thotë se kur ishin shtjeru të gjitha mjetet, Komuna ka vepruar dhe ka filluar ekzekutimin e vendimit për rrënimin e objektit të kundërligjshëm.

“ Këtu fillojnë intervenimet dhe në shesh del e gjithë kapja e shtetit nga klanet mafioze.Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala në konferencën e datës 22 Korrik, tre ditë pas rrënimit të objekti pa leje, Kryeprokurori luan rolin e avokatit të kompanisë private dhe injoron aktvendimet legjitime të Komunës së Prizrenit”,  thotë Haskuka.

Për këto veprime të kryeprokurorit Shala, Komuna e Prizrenit ka paraqitur ankesë në Këshillin Prokurorial.

Haskuka thotë se sistemi po del në mbrojtje të ndërtuesve pa leje, dhe po e bllokon Komunën, ndërsa Policia e Kosovës po kërcënohet nga organet qendrore në Prishtinë që të pengojnë zyrtarët Komunal në detyrë.

”Pra, në Prizren në këtë rast sistemi i kapur del haptas në mbrojtje të ndërtuesve pa leje dhe e bllokon Komunën në veprimet e saja ndaj ndërtuesve pa leje. Me urdhëra politikë nga lartë, zyrtarët komunalë pengohen në detyrë në mbrojtje të ndërtimeve pa leje. Pa shkresa zyrtare kërcënohen inspektorët komunalë më urdhër të atyre që do të duhej të ishin garantues të zbatimit të kushtetutës dhe të ligjit. Nga Prishtina kërcënohen policë që të pengojnë zyrtarët komunalë në detyrë. Në mbrojtje të ndërtimeve pa leje.”

Haskuka fjalë të mira ka për drejtorin Islam Thaçi dhe drejtorinë me të cilën ai udhëheq, duke e vlerësuar si shembull.

“ Drejtoria e Inspektorateve në Prizren është shembull se si zbatohet ligji, me ndalimin e ndërtimeve pa leje, me rrënimin e objekteve pa leje dhe me lirimin e hapësirave publike, prandaj ne do të vazhdojmë. “

“Analet e një qyteti të kapur” është titulli i serisë së postimeve në Facebook me të cilin kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka filluar t’i publikojë disa shkrime që, sipas tij, tregojnë për “çudirat e një qyteti të kapur “.

Këto reagime të Haskukës vijnë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Prizrenit ndaj tre drejtorëve të komunës që Haskuka udhëheq nga fundi i vitit 2017.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me ngjarjet që rrethuan objektin e “Abi Çarshisë”.

Një përmbledhje të këtyre raportimeve mund ta gjeni më poshtë:

Ekskluzive: Për çka akuzohet kryeinspektori i Prizrenit lidhur rreth rrënimit e objektit pa leje të ‘Abi Çarshia’?