Haradinaj takon Mujë Rugovën, flasin për rishikimin e demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mëngjesin e së premtes ka pritur në takim ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova.

Haradinaj bëri të ditur së gjatë takimit kanë biseduar për ecurinë e rishikimit të procesit të demarkacionit dhe hapat e mëtutjeshëm që duhet ndërmarrë, për finalizimin e tij, respektivisht korrigjimin e sektorëve në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.

“Rishikimi i demarkacionit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit, është proces që ka marrë tashmë dakordimin e dy Qeverive, të Kosovës dhe Malit të Zi. Krahas punës së komisioneve ndërshtetërore dhe parapërgatitjeve, sot prita në takim ish Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Mujë Rugova, me të cilin biseduam për ecurinë e këtij procesi dhe hapat e mëtutjeshëm që duhet ndërmarrë, për finalizimin e tij, respektivisht korrigjimin e sektorëve në drejtim të Kullës dhe Çakorrit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në rrjetin social ‘Facebook’.

Më tutje, ai ka mirëpritur kontributin e profesorit, Rugova për bashkëpunim.