Haradinaj kritikon shprehjen e prokurorit Maqedonci

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratën e prokurorit Rexhep Maqedonci që e kishte quajtur ‘të poshtër’ një studente që kishte raportuar ngacmimin seksual.

Duke dëgjuar incizimin e KALLXO.com, Haradinaj tha është i befasuar nga fjalët e prokurororit

“U befasova me një qëndrim të tillë të një përfaqësuesi të ligjit dhe besoj që instancat tjera që e trajtojnë ligjin brenda prokurorisë do të interesohen për këtë situatë, do ta kryejnë punën e vet. Në anën tjetër, nuk është hera e parë që dëgjojmë. Këtu janë disa defekte, është një prokuror dhe komunikimin e këtillë e ka shumë jo profesional, pastaj me gjasë këtu ka probleme të tjera të integritetit e më shumë”, tha Haradinaj.

Rexhep Maqedonci, prokuror i ngarkuar për të hetuar njërin nga rastet më të përfolura kohëve të fundit për pretendime për ngacmime seksuale, në një bisedë për KALLXO.com ka dhënë deklarata paragjykuese për rastin ende pa e intervistuar viktimën dhe pa e trajtuar rastin.

“Edhe gruas time mundet me i thënë dikush a po vjen me flejtë por ky nuk është ngacmim, me flejtë nuk ka kurrgjë, kurrfarë zarari nuk ka me flejtë…”, kishte thënë ndër të tjerash prokurori.

Pas publikimit të këtij incizimi kanë reaguar dhjetëra organizata nga shoqëria civile.