Hapja e një zyre të Ukrainës në Kosovë, pse e qortoi Vuçiq zyrtarin ukrainas?

Shefi i Komisionit Parlamentar në Ukrainë, Oleksandar Merezhrkon, ka thënë se shteti ukrainas nuk duhet t’i interesojë opinioni i Serbisë kur çështja lidhet me Kosovën e përfaqësuesit e saj.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se Serbia nuk mund ti imponoj asgjë Ukrainës njëjtë sikur Ukraina nuk mund ti imponoi asgjë Vuçiqit, kur takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ne nuk ia imponojmë opinionin tonë Vuçiqit kur ai shkon në Kinë dhe takohet me Putinin. Për mua, kjo është skandaloze, është si të takosh Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore” – ka thënë zyrtari ukrainas në KallxoPernime.

“Ne nuk i themi, nuk i diktojmë nëse do të bëjë foto me Putinin apo jo, është një çështje e moralit, por ai, nëse do, le ta bëjë këtë. Nuk shoh asgjë të keqe, për shembull, në takimin (e ukrainasve) me përfaqësues zyrtarë të Kosovës. Kosova, në fund të fundit, njihet nga miqtë dhe partnerët tanë më të ngushtë, aleatët tanë, si Shtetet e Bashkuara, si Gjermania dhe shumica e vendeve evropiane e njohin Kosovën”, – tha shefi i Komisionit Parlamentar në Ukrainë.

Ndër të tjera, Oleksandar Merezhrkon foli edhe për ‘qortimin’, që Vuçiq i bëri atij kur e kishte nënshkruar letrën për Kosovën.

“Nuk kisha frikë. Ne po luftojmë kundër Rusisë, si mund të kemi frikë nga Vuçiqi? Unë mendoj se ai është një politikan shumë i zgjuar. Ai e kupton se kurrë nuk do të jetë në gjendje ta kthejë Kosovën për të rivendosur kontrollin. Ai e kupton shumë mirë këtë”, tha ai

Sipas Merezhko, për Vuçiqin Kosova është vetëm një mjet pazaresh në negociatat e tij me Perëndimin.

“Ai dëshiron të negociojë diçka nga Perëndimi, nga Bashkimi Evropian, në këmbim të njohjes së Kosovës. Kjo ka të bëjë me politikën e BE-së. Është shumë cinike, do të thosha, dhe shumë pragmatike por është një lojë, lojë politike. Por nuk bëhet fjalë si të tillë për njohjen e Kosovës sepse edhe çdo parim ndërkombëtar e kupton që ka njohje de jure, njohje ligjore zyrtare dhe njohje de facto. Dhe de facto, Serbia tashmë e njeh Kosovën, ajo zhvillon negociata me Kosovën, ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë”, – shtoi tutje ai

Ai ka thënë gjithashtu se pse Ukraina nuk mund të ketë zyrë ndërlidhëse në Kosovë kur edhe Serbia e ka një të tillë?

“Kjo është ajo që unë do të bëja si hap i parë. Dhe së dyti, përsëri mendoj se duhet të jemi të vendosur si një vend që i përket botës së lirë, demokracisë. Ne po themi se po luftojmë për demokraci dhe vlera demokratike dhe është e vërtetë. Por ne duhet të jemi konsistentë. Ne duhet të mbështesim demokracitë e tjera, përfshirë Kosovën, që është një nga demokracitë në Ballkan”, – tha Merezhko