Gruaja e prekur nga virusi sillet rrugëve të Vushtrrisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hapur rast ndaj një gruaje banore e rrugës Haxhi Zeka në Vushtrri me pretekstin se e njëjta edhe pse e infektuar nga COVID 19 ka dalë jashtë shtëpisë në rrugët e qytetit.

Sipas raporti zyrtarë të ngjarjes policët të cilët kontrollojnë nëse personat e vetizoluar po qëndrojnë në shtëpi kanë kuptuar se gruaja ka dalë në qytet mbrëmë rreth orës 21 :00. Raporti saktëson se viktima është e konfirmuar me virus ndërsa për të është hapur rast penal për shkeljen e masave.

Në njoftim policia sqaron se për shkak të prekjes nga virusi gruaja nuk është intervistuar ndërsa procedura ndaj saj do vazhdoj pas shërimit.

Sipas ligjit shkelja e masave të vetizolimit gjatë pandemisë përbën vepër penale. Në mbarë vendin janë të vetizoluar mbi 1300 persona të cilët deri më tani kanë rezultuar pozitiv me virusin dhe ende nuk janë shëruar.

Pandemia COVID 19 u ka marrë jetën 51 qytetarëve të Kosovës ndërsa mbi 110 persona janë të shtrirë në spital ku po marrin trajtim.

Që nga 15 marsi kur është shënuar rasti i parë e deri më sot 2878 persona janë prekur nga virusi ndërsa 1577 persona janë shëruar.