Gjyqtari Sali Berisha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjyqtari Sali Berisha përfundimisht do të gjykohet për ryshfet e armë pa leje

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Në qershor të këtij viti, Gjykata e Prishtinës e konfirmoi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, ndaj gjyqtarit Sali Berisha i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Mirëpo edhe Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve të mbrojtjes ka gjetur se ankesa nuk është e bazuar.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet mbrojtjes nuk janë të bazuara sepse Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se pretendimet e mbrojtësit se aktvendimi i Gjykatës së Prishtinës është i mangët, jo koherent,  kamoflues, si dhe në kontradiktë të plotë me provat e kundërshtuara, të cilat sipas mbrojtjes janë siguruar në cenimin e të drejtës për privatësi të garantuar me Kushtetutë, tani për tani sipas Gjykatës së Apelit janë të pa bazuara sepse janë pretendime që duhet të trajtohen në shqyrtim gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.

Berisha është i dyshuar edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në një seancë të mbajtur në shtator, Berisha e ka quajtur këtë aktakuzë “të montuar”.