Vidar Stensland nga e majta, gjatë gjykimit të Gani Gecit

Gjyqtari që e Gjykoi Rastin Geci Emërohet në Gjykatën Speciale

Vidar Stensland, gjykatësi i cili udhëhoqi gjykimin ndaj Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit do jetë pjesë e Gjykatës Speciale.

Në njoftimin e publikuar sot nga Gjykata Speciale ndër të tjera shkruan se Vidar Stensland do jetë pjesë e kësaj Gjykate.

Stensland është i familjarizuar me Kosovën pasi që punon si gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Njëri nga rastet më të rëndësishme që ky gjyqtar vendosi në Kosovë, në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues, ishte rasti i Gani Gecit.

Më 3 qershor të vitit të kaluar, Stensland ishte kryetar i trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, që dënoi me 4 vjet e gjysmë burg Gani Gecin, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Prokuroria në këtë rast pretendonte se Geci kishte kryer vrasje të rëndë, ndërsa në fund të procesit trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi Stensland gjykoi se vrasja ishte kryer në gjendje të afektit të rëndë mendor.

Procesi gjyqësor në këtë rast tashmë është në Gjykatën e Apelit, ku pritet të shqyrtohet ankesa e prokurorit.

Geci në vazhdimësi pretendon se vrasjen e kishte kryer në vetëmbrojtje.

Dosja e lajmeve për rastin Geci.