Gjyqi për Thaçin “duhet të kishte ndodhur më parë”, thonë familjet e viktimave

Familjarët e serbëve që u vranë ose që rezultojnë ende si të zhdukur nga lufta e Kosovës në vitet 1998-1999 thonë se shpresojnë që një gjykim i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi do t’u mundësojë atyre informacione të reja, një përfundim dhe drejtësi.

Megjithatë, disa prej tyre duket se kanë pritshmëri të mëdha, dy dekada pasi humbën njerëzit e tyre të dashur.

Silvana Markoviç, bashkëshorti i të cilës u rrëmbye më 19 qershor 1999 në qytetin e Graçanicës në Kosovë, tha se Thaçi dhe aleatët e tij “më në fund duhet të fillojnë të përgjigjen për krimet e kryera kundër serbëve”.

“Ka ende disa dyshime, njësoj si herën e fundit, se gjyqet do të fillojnë dhe më pas do të ndalen. U habitëm nga lajmi për akuzat, kështu që kemi shpresë te Zoti. Besoj se të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet do të ndëshkohen”, tha Markoviç për BIRN.

Ajo tha se burri i saj, Gorani, po përgatitej që të largohej nga Kosova, por ndërkohë ishte rrëmbyer së bashku me dy persona të tjerë.

Në të njëjtën kohë, në qershor 1999, pasi lufta në Kosovë mbaroi dhe aty ishin vendosur forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, Natasa Scepanovic pa për herë të fundit gjallë prindërit e saj. Ajo i gjeti eshtrat e babait të saj në vitin 2003. Nëna e saj rezulton ende e zhdukur.

Scepanoviç, si kryetare e një grupi të mbijetuarish, Shoqata e Viktimave të Kosmetit në Beograd, thotë se akuzat ofrojnë “një rreze të vogël shprese” për të dhe viktimat e tjera serbe dhe familjet e tyre.

“Ne kemi shpresë se do të arrihet një lloj drejtësie dhe se ata që janë fajtorë për krimet që ndodhën në Kosovë do të ndëshkohen. Presim që këto akuza të përfundojnë në gjykate. Ka shumë prova, shumë materiale”, tha ajo. “Kjo duhet të kishte ndodhur më herët”, shtoi ajo.

Një njoftim për shtyp të mërkurën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me qendër në Hagë, tha se kjo e fundit kishte ngritur një aktakuzë prej dhjetë pikash pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës kundër Thaçit, politikanit Kadri Veseli dhe të tjerëve për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura.

Njoftimi për shtyp nuk dha më shumë detaje në lidhje me intervalin kohor të krimeve të pretenduara ose për vendet ku dyshohet se kanë ndodhur ato.

Siç ka raportuar BIRN, kur kishte të bënte me pretendimet për krime lufte të kryera nga shqiptarët e Kosovës, Gjykata e Hagës për krime lufte, ICTY, vendosi të akuzonte ish-anëtarë të UÇK-së kryesisht për krime të izoluara, duke ou përqendruar në ngjarje të caktuara dhe më pas duke u përpjekur të vërtetonte lidhjet midis të paditurve dhe krimin specifik.

Në ndryshim nga kjo, këtë herë ekipi i prokurorit në Gjykatën Speciale, gjithashtu në Hagë, po përqendrohet në fushata të mëdha vrasjesh dhe persekutimi dhe po përpiqet të vërtetojë se, si lider i UÇK-së, Thaçi ishte përgjegjës si për krime lufte, ashtu edhe për krime kundër njerëzimit.

Krimet kundër njerëzimit i referohen krimeve të kryera në kontekstin e sulmeve të përhapura ose sistematike kundër civilëve ose pjesëve të identifikueshme të popullatës civile dhe mund të kryhen në kohë paqeje, jo vetëm gjatë konflikteve, siç ndodh me krimet e luftës.

Një nga krimet më të njohura ku janë të përfshirë serbët që u krye pas luftës në Kosovë ka ndodhur më 23 korrik 1999, në fshatin Graçkë e Vjetër, 20 kilometra larg Prishtinës, ku 14 persona u vranë ndërsa ishin në një arë duke korrur grurin e tyre.

Siç raportoi BIRN, masakra ka qenë objekt i procedurës penale, por pa ndonjë përfundim. Policia nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, arrestoi një shqiptar etnik të quajtur Mazllum Bytyqi në 2007 në lidhje me krimin, por ai u la i lirë dy muaj më vonë për shkak të mungesës së provave.

Në vitin 2010, prokurorët e Kombeve të Bashkuara ia dorëzuan çështjen misionit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX. Në vitin 2017, çështja u mbyll.

Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan për BIRN në korrik të vitit të kaluar se çështja ishte nën juridiksionin e saj.

Slavica Tepsiç, bashkëshortja e një viktime, Miodrag Tepsiç,tha se e vërteta duhet të kishte dalë më parë. “Pas këtyre 20 viteve, të jem e sinqertë, nuk pres ndonjë gjë të madhe”, tha Tepsiç për BIRN.

Disa nga familjarët dhe shoqatat që përfaqësojnë viktimat serbe nga Kosova nuk kanë pranuar ta komentojnë lajmin “deri në momentin që do të shohin se çfarë do të ndodhë”.

Një moment historik në procesin e gjatë për të përcaktuar të vërtetën rreth krimeve të kryera nga UÇK-ja në fund të viteve 1990 ishte një raport i publikuar në vitin 2010 nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty. Raporti akuzonte ish-krerët e UÇK-së për trafik organesh, ndër disa krime të tjera të rënda.

Pretendimet e bëra në atë raport u pasuan nga ngritja e një task force speciale e Bashkimit Europian. Raporti i task forcës, i cili pretendoi se krerët e UÇK-së kishin kryer krime të rënda, çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Natasa Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, një OJQ me qendër në Beograd që merret me krimet e luftës, tha se ajo priste që aktakuza kundër ish-përfaqësuesve të lartë të UÇK-së të konfirmohej.

Sipas agjencisë së lajmeve Fonet, ajo tha gjithashtu se publiku në Serbi duhet të jetë i përgatitur për faktin se gjyqet nuk do të përqendrohen vetëm te trafiku i organeve nga ana e UÇK-së, por edhe te krimet e kryera kundër shqiptarëve – dhe më pas te krimet kundër serbëve./Reporter.al