Gjyqi për Mallrat e Ndaluara

Në Gjilan është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin ku të akuzuar janë një zyrtar doganor, një zyrtar i AVUK-ut dhe një biznesmen.

Ashtu siç ishte e paraparë, dëshmi kanë dhënë Muhamed Klaiqi dhe Amir Ibrahimi, ndërsa mungoi dëshmitari Imran Destani.

Të akuzuarit Radica Saviq, doganiere, dhe Ismet Shabani, zyrtar i AVUK-ut, akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në dëshminë e tij para gjykatës Muhamed Klaiqi, i cili është hetues policor, tha se gjatë hetimeve është vërtetuar se e akuzuara Saviq pasi ka pranuar lëndën nuk ka dalë që të vërtetojë nëse sasia e deklaruar është e njëjtë me atë që shkruan në dokumentacionet unike doganore, si dhe ta vërtetojë nëse ai produkt ka qenë i lejuar për shitje në Kosovë.

Shaban Spahiu, prokuror i rastit, e pyeti dëshmitarin nëse e di se produkti në fjalë, një pesticid, ka qenë i ndaluar apo i kufizuar nga institucionet vendase.

“Jo nuk e di, Por, sa kam informacion, ai produkt – pesticid tashmë është shitur, përkundër që është zënë nga njësia e ‘Task Forcës’ së Vijës së Gjelbër”, tha Klaiqi.

Në pyetjen e avokatit Kadri Sylaj, i cili mbron të dyshuarën Saviq, lidhur me atë se nga kush ka mundur të ndryshohet kjo shifër në dokumentacion, Klaiqi tha se atë ka mundur ta bëjë hartuesi ose shpediteri, por krahasimin e saj me gjendjen reale është dashur ta bëjë doganierja.
Pas seancës gjyqësore, avokati Masar Morina, i cili mbron të akuzuarin Ismet Shabani, për KALLXO.com tha se aktakuza nuk qëndron pasi nuk ka dëm të shkaktuar.

“Duhet të them atë se nëse i qasemi aktakuzës, ai akuzohet se ka bërë keqpërdorimin e detyrës zyrtare në atë mënyrë që ka leju të hynë në Kosovë pesticide, të cilat nuk kanë qenë të lejuara dhe në këtë drejtim i ka shkaktuar dëm Doganës. Sipas raportit, gjegjësisht aktin që e kemi marrë nga Dogana, konstatohet se asnjë dëm nuk i është shkaktuar Doganës. Pastaj, shtrohet pyetja për të bërë një vepër duhet të ekzistojë edhe dëmi”, tha avokati.

Ndërsa lidhur me pretendimet e Prokurorisë se pesticidet janë të ndaluara, avokati Morina tha se Ministria e Bujqësisë ka dhënë vendim pozitiv për lejimin e këtyre produkteve.

“Ndërsa sa i përket çështjes së pesticideve të cilat nuk kanë qenë të lejuara për importim, është çështja se me dokumentin të cilin ka lëshuar Ministria e Bujqësisë, konstatohet se ato pesticide të cilat janë ndalur nga ana e Policisë me urdhër  të prokurorit, janë lejuar dhe janë shitur. Nga kjo del edhe pyetja, nga vepra penale për sende të cilat janë ndalë e ndërkohë janë lejuar me u shitë, pasi që një send që është i ndaluar dhe nuk ka tjetër prandaj nga kjo s’kemi vepër penale” deklaroi avokati Masar Morina.

Sipas aktakuzës, Radica Saviq më 7, 8 dhe 12 mars të vitit 2011 në pikën doganore Dheu i Bardhë ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke vëtretuar në mënyrë të kundërligjshme dokumentacionet unike doganore, të cilat dokumentacione nuk janë përputhur me të dhënat bruto sasiore.

Sasia e shënuar në dokumentacion ka qenë ndryshe ndërsa në vendimin fito-sanitar pesha e pesticidit është shtuar për 18,000kg, duke i mundësuar një fitim të kundërligjshëm pasuror në shumën prej 9,951 euro të pandehurit Baki Alimi.

Prokuroria po ashtu dyshon se Ismet Shabani në po të njëjtat data, në pozitën e tij si inspektor i AVUK-ut, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke lejuar hyrjen e pesticideve në Kosovë, përkundër faktit që disa prej tyre kanë qenë të ndaluara, duke lëshuar vendime që kanë vënë në lajthim organet doganore, dhe krejt kjo si rezultat që të përfitojë financiarisht Baki Alimi pronar i NTP “Rendimenti”.

Ndërsa, i pandehuri Baki Alimi dyshohet se në kohë të pacaktuar gjatë vitit 2011 ka bërë shitblerje të mallit të llojit “Galation” dhe “Foxin”, i cili ka qenë i kufizuar apo i ndaluar në peshë prej 23,860 kilogram, të cilat produkte me vendimin fito-sanitar janë të ndaluara për furnizim në Kosovë dhe me këtë ka kryer veprën penale tregti e ndaluar.