Gjykimi i Nafije Rrafshit - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen në Malishevë, dëshmon vëllai i viktimës dhe kunati i të akuzuarës

Në gjykimin e Nafije Rrafshit, e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës, ngjarje që ka ndodhur në Lladrovc të Malishevës në gusht të vitit të kaluar, ka dëshmuar kunati i të akuzuarës.

Avdi Zabelaj tregoi se kishte pasur probleme në familjen e vëllait të tij, gjegjësisht burrit të të akuzuarës.

“Problemet kanë qenë morale. Sefer Berisha para 8 viteve ka filluar të më shkruajë mesazhe të ndryshme dhe më ka thirrë natën. Rastin e kam paraqitur në Polici”, deklaroi Avdi Zabelaj.

“E kam pyetur gruan e vëllait – Nafijen se kush është ky njeri që më dërgon mesazhe, por ajo më ka thënë që nuk e di”, tha ai.

Dëshmitari Zabelaj tha se nuk kishte qenë në dijeni që vëllai i tij me gruan Nafijen të kenë pasur probleme tjera dhe se për vrasjen kishte kuptuar nga mediat.

“Mesazhet kanë qenë për gruan dhe vajzat e vëllait, të cilat Seferi ka kërkuar nga unë të ia qes (prezantoj) ato”, deklaroi Avdi Zabelaj.

Më pas dëshmoi edhe dëshmitari Astrit Zylfaj, punëtor i pompës “Toni Petrol”, i cili tha se i kishte parë në foto të Policisë dy vetura të parkuara.

“Kur ka ardhur Policia me i marrë incizimet, atëherë kam kuptuar se ka ndodhur një vrasje”, deklaroi Astrit Zylfaj.

Gjatë dëshmisë, në sallë të gjykimit, dëshmitari u kthye për ta shikuar të akuzuarën, por tha që nuk e njihte.

Pas kësaj kushëriri i të ndjerit Sefer Berisha, dëshmitari Nebi Berisha tregoi se dy ditë para vrasjes kishin pirë birra bashkë.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar që Seferi kishte probleme me dikë. Për rastin e vrasjes kam dëgjuar nga dhëndri i familjes së të ndjerit”, deklaroi Nebi Berisha.

Në Gjykatën e Gjakovës dëshmoi edhe vëllai i të ndjerit Sefer Berisha, Naseri.

Naser Berisha tregoi se deri para 4 viteve kishte jetuar në bashkësi familjare me vëllanë e tij.

Ndërsa, për të akuzuarën Nafije Rrafshi tha se është hera e parë që po e shihte.

“Ditën kur ka ndodhur vrasja unë kam qenë vetëm në shtëpinë time, ku fillimisht më kanë thënë që vëllai ka pasur aksident. Vëllai kishte kërkuar që të shkonte te dentisti”, deklaroi Naser Berisha.

“Para vrasjes, më ka thirr një grua në telefon dhe më ka thënë t’i them Seferit mos me e thirr më në telefon, ndërsa kur i tregova vëllait më tha që është një grua që më ka borxh, sepse si taksist e kishte dërguar 3 herë në Prishtinë dhe nuk e kishte paguar”, deklaroi Naser Berisha.

Dëshmitari tregoi se edhe sot nuk e njeh gruan që e kishte thirrur në telefon.

Më pas, para trupit gjykues dëshmoi edhe eksperti i balistikës, Ilir Kukaj.

Ilir Kukaj tregoi se janë bërë dy ekspertime.

“Objekt i ekspertimit kanë qenë dy pistoleta dhe dy karikatorë e 3 gëzhoja”, deklaroi eksperti Kukaj.

“Të dyja pistoletat kanë qenë funksionale të cilat kanë gjuajtje në mënyrë gjysmë-automatike ndërsa 3 gëzhojat e ekspertimit janë shkrepur nga njëra pistoletë që ka qenë objekt i ekspertimit”, deklaroi eksperti.

Ndërkaq kryetari u trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Besarta Doli dhe Manduhije Syla caktuan ditën e nesërme për vazhdimin e gjykimit.

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

https://kallxo.com/e-akuzuara-per-vrasje-ne-malisheve-pranon-se-mbajti-arme-pa-leje/

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës kishte vrarë Sefer Berishën 57 vjeçar.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije Rrafshi shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytje e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes, thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-nje-te-dyshuare-per-vrasjen-ne-lladrovc-te-malisheves/

Kallxo.com kishte raportuar edhe në herët për këtë rast.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 gushtit 2018, ishte arrestuar një person i gjinisë mashkullore.

https://kallxo.com/arrestohet-nje-i-dyshuar-per-vrasjen-e-4-gushtit-ne-lladrovc-te-malisheves/

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

https://kallxo.com/arrestohet-edhe-nje-grua-per-vrasjen-e-57-vjecarit-ne-lladrovc-te-malisheves/

www.kallxo.com