Foto: KALLXO.com

Gjykimi për grabitjen e 65 mijë eurove, i akuzuari rrëfen se çfarë bënë në shtëpinë e "plakës"

Ferdi Sali, Liridon Musliu, Labinot Halimi dhe Selman Halimi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën për grabitje në disa vende.

Tutje në seancen e sotme e dhanë mbrojtjen e tyre të akuzuarit Liridon Musli dhe Labinot Halimi të cilët thanë se nuk i kanë kryer gjitha veprat penale me të cilat akuzohen.

Kurse të akuzuarit e  tjerë lidhur me këtë rast Selman Halimi dhe Ferdi Sali, paraprakisht ishin marrë në pyetje në seancën e kaluar gjyqësore.

“Kur jemi nisur për tek shtëpia e “plakës” nuk kam pasur telefon me veti. As Ferdi deri sa ka qenë me mua nuk ka biseduar me askënd pasi që nuk ka pasur telefon. Kur kam hyrë në shtëpinë e “plakës” menjëherë e kam parë kuferin i cili ka qenë në sallon. Plaken kur e kemi marrë së bashku me Ferdin për ta futur brenda ka thënë “mos më ngucni sepse jam e sëmur”. Me Labinotin sa më kujtohet mua nuk kemi kontaktuar”, tha i akuzuari Liridon Musliu.

Ai tutje tha se nuk qëndron prapa deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori sepse të njejtat i ka dhënë nën presion dhe frikë dhe se ajo çfarë ka thënë në Polici dhe Prokurori nuk është e vërtetë si rezultat i presionit dhe frikës së ushtruar nga ana e organeve që janë marrë me hetimin e këtij rasti.

Sipas tij, i akuzuari Labinot dhe Selman nuk kanë pasur njohuri lidhur me këtë rast, ashtu që, udhëzimet për të shkuar tek shtëpia e “plakës”, tha se i ka marrë nga i akuzuari Ferdi Sali, dhe se janë nisur në drejtim të asaj shtëpie për të marrë ndonjë gjë me vlerë.

Kurse i akuzuari Labinot Halimi tha se në ditën kritike ai së bashku me dajën e tij ka qenë i angazhuar në lyerjen e një shtëpie.

“Tërë ditën kam qenë i angazhuar me punë dhe se për rastin në fjalë jam njoftuar nga Besarta e cila kishte ardhur për të më njoftuar  lidhur me atë çfarë kishte ndodhur në shtëpinë e gjyshes. Pasi kam marrë vesh për ndodhinë, me vrap jam nisur në drejtim të shtëpisë së gjyshes për të parë çfarë kishte ndodhur”, tha i akuzuari Halimi.

Tutje, ai shtoi se gjyshja e tij ka qenë ajo e cila ka bërë përshkrimin e rastit duke treguar se dy persona janë futur në shtëpi dhe se e kanë kapur për duarsh, por që, nuk kishte përmendur nëse të njëjtit kishin marrë ndonjë shumë të hollash.

Pas përfundimit të orarit të punës, marrja në pyetje e të akuzuarit Labinot Halimi mbeti në gjysmë dhe njëjta do të vazhdojë më 21 maj.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Ferdi Sali, Liridon Musli, Labinot Halimi dhe Selman Halimi, më 3 korrik 2019, në Gjilan, në bashkëveprim dhe me përgatitje paraprake, kanë kryer grabitje.

Dosja e Prokurorisë thekson se të akuzuarit Labinot Halimi dhe Selman Halimi i kanë udhëzuar të akuzuarit tjerë Liridon Musli dhe Ferdi Sali, në shtëpinë ku do të kryenin grabitjen, ndërsa ata dy të armatosur dhe të maskuar, kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Sadik Sylejmani.

Prokuroria thotë se nën kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj të dëmtuarës Hyrije Sylejmani, të akuzuarit kishin grabitur para në shumën prej 65,000 euro, 1,000 franga, si dhe sasi të konsiderueshme ari, me ç’rast pas grabitjes së bashku me një person tjetër janë mbledhur në banesën e të pandehurit Liridon Musli, në Fushë-Kosovë, për të ndarë paratë e vjedhura.

Gjithashtu, të akuzuarit Ferdi Sali dhe Liridon Musli, më 11 korrik 2019, rreth orës 18:05 minuta, në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan, të maskuar dhe të armatosur me një revole kanë kryer grabitje, fillimisht duke i sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike të Postës, e më pas duke marrë nga arka 300 euro.

Pas aktit, ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ferdi Sali dhe Liridon Musli akuzohen edhe për grabitje në tentativë, pasi në objektin e fabrikës ‘’Fluidi’’, në fshatin Velekincë, sipas Prokurorisë, kanë tentuar të kryejnë akt të ngjashëm. Sipas aktakuzës ata fillimisht kishin hapur me forcë derën e fabrikës, mirëpo për shkak të zhurmës e cila ishte shkaktuar gjatë hapjes së derës, të njëjtit ishin vërejtur nga sigurimi.

Pas kësaj, ata kishin gjuajtur me armë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.