Ish-pjesëtari i UÇK-së Shaqir Rrahimi duke dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës - 13.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari rrëfen për plagosjen e Nuredin Ibishit e Kapllan Parduzit

Ish-pjesëtari i UÇK-së Shaqir Rrahimi po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Shaqir Rrahimi i cili në kohë lufte i ka takuar Birgadës 151, përpara trupit gjykues ka rrëfyer për ofensivën dhe plagosjen e bashkëfshatarëve të tij.

“Nga janari – qershor 1999 kemi përjetuar një ofensivë ku ka pasur shumë civilë të lënduar dhe të vrarë. Më 9 prill forcat serbe morën një aksion në fshatin Surdoll ku më 10 prill u plagos komandant “Leka” dhe Kapllan Parduzi”, tha dëshmitari.

Pasi kishte dëgjuar se ishte plagosur Nuredin Ibishi dhe Kapllan Parduzi, Rrahimi deklaroi se me traktor kishte shkuar për t’i marrë tek spitali i improvizuar e cila ishte një shtall.

“Gjatë kësaj kohë ne ishim të përgatitur në lëvizje, krejt ishim të përgatitur me najlona me ushqime. Unë e përgatita traktorin tim me najlon veshmbathje dhe ushqime, mirëpo kur dëgjova për lajmin e bashkëfshatarëve të mi shkova i tërhoqa gjërat nga traktori dhe i mora ata. Nga fshati Turuçicë kemi bo 48 orë transport”, tha Rrahimi.

E me të shkuar tek spitali i improvizuar e cila në fakt ishte një stallë që sipas dëshmitarit kishte vetëm disa shpuza të vendosur, ai aty pa edhe fëmijë të plagosur.

“Spitali i improvizuar muj me thanë shtallë me syngjera kur kam shku e kam pa gjendjen e Nuredin Ibishit dhe Korab Parduzit, aty ka pas edhe fëmijë të plagosur. Nuredin Ibishi stomakun e ka pas krejt jashtë po ashtu edhe Parduzi ka qenë në stomak dhe te qafa”, rrefëu dëshmiatri.

E për tërheqjen e njerëzve të plagosur Rrahimi sqaroi se nga fshati Turçicë deri në fshatin Krushevicë e kanë përcjellë dy traktorat me Rrahman Zekën dhe Sabit Rrahimit, ndërkaq nga fshati Krushevicë deri në Koliq kishte udhëtuar vetëm.

Kurse nga Koliqi deri në Rimanishtë, atij i janë bashkangjitur dy persona që kanë ardhë dhe i kanë përcjellë me një traktor para tyre, në largësi prej 200 m, për shkaqe të sigurisë të rrugës.

“Ku kemi kalu rrugëve të pyllit ka pasur shumë shi, kanë ardhur edhe dy traktora tjerë me na tërheqë dmth unë me të plagosur dhe 2 traktora para meje”.

Këta dy persona të cilët kishin qenë gjatë shoqërimit me traktor, dëshmitari rrëfeu se nuk i njihte.

“Na kanë përcjellë dy persona me traktora para nesh se di për siguri të rrugës, unë nuk i kam njohur këta dy persona të cilët kanë qenë civil, këta dy në një moment pasi jemi nal diku pasi u nal traktori por nuk mundem me ta vërtetu që e kam pa, më duket se ka fol 2 minuta ”, tha ai.

Megjithëse ai pohoi deklaratën e tij dhënë në prokurori ku kishte thënë se nga këta dy persona e ka dëgjuar emrin “Cali, Cali”.
“Këta dy persona kanë ardhur me traktor unë si kam njohur, ai ka thënë: “Cal” a po shkojmë në të djathë a të majtë? Kaq, unë më nuk jam taku me ta”, përsëriti Rrahimi.

Rrahimi gjatë dëshmisë së tij mohoi të ketë njohur edhe Sali Mustafën.

“Në muajin prill 1999 nuk e kam njohur Salih Mustafën, unë se kam pa kurrë veç ne televizion e kam pa ndërsa për nofkën “Cali” kam dëgjuar vetëm pasi u arrestu”, tha Rrahimi.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.