Gjykatat e Kosovës të hënën fillojnë punën, publikut dhe mediave nuk u lejohet pjesëmarrja  

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 233-të, vendosi që nga data 1 qershor, Gjykatat të fillojnë të punojnë me kapacitet të plotë.

Me datë 1 qershor të gjitha Gjykatat e Kosovës do t’i hapin dyert për të vazhduar punën në trajtimin e lëndëve gjyqësore, për gjyqtarët, stafin mbështetës dhe palët, por jo edhe për publikun dhe mediat.

Ky vendim u mor në pajtim të plotë të të gjithë anëtarëve të KGjK-së.

Me rastin e marrjes së këtij vendimi u përcaktua që përpos palëve në procedurë, pjesëmarrja e publikut dhe mediave të mos lejohet gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore me qëllim të evitimit të rrezikut të përhapjes së virusit COVID – 19.

Ndonëse fillimisht u diskutua mundësia që mediave t`u lejohej ndjekja e këtyre seancave përmes platformës online, për shkak që më pas u shtrua çështja e problemit të pamundësisë teknike që mund të kenë Gjykatat tona, u tha se fillimisht për këtë fazë, informimi i publikut dhe mediave do të bëhet vetëm përmes Zyrave për Komunikim dhe Informim të Gjykatave.

KGjK po ashtu diskutoi faktin se Gjykatave do tu duhet që të sigurojnë pajisje mbrojtëse shtesë, dhe që patjetër të bëhet obligative përdorimi i maskave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse shtesë për të gjithë palët.

Mbledhja e 233-të e KGjK-së u mbajt vetëm me pjesëmarrjen e anëtarëve të KGjK-së si dhe të stafit mbështetës ndërsa për të interesuarit e tjerë për përcjellje të kësaj mbledhjeje, KGjK u mundësoi që mbledhjen ta përcjellin përmes platformës online.

Pikat e rendit të rendit të ditës të kësaj mbledhjeje janë: Shqyrtimi i ekstrakteve të procesverbaleve të takimit të kaluar të KGJK-së, Diskutimi rreth gjendjes aktuale me situatën Coronavirus (COVID – 19), Draft propozimi për Planin emergjent për menaxhimin e krizës nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave dhe Komisioni për Çështje Normative, Shqyrtimi i Njoftimit të Departamentit të Administratës së Përgjithshme -SKGjK për pensionim të gjyqtarëve, Shqyrtimi i Propozimit të Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin UD Administrator, Vlerësimi i Përformancës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së për vitin 2019 si dhe Kërkesa për themelimin e Panelit Hetimor (pikë kjo e rendit të ditës e cila do të diskutohet me dyer të mbyllura).

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!