Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Gjykata paralajmëron urdhër arrest për të akuzuarin për lajmërim të rremë

Gjykata e Mitrovicës do të lëshojë urdhër arrest ndaj të akuzuarit Rafet Brahimi, i akuzuar për veprën penale lajmërim apo kallëzim i rremë.

Gjykatësi i rastit, Gëzim Ademi, e dha këtë paralajmërim pasi që i akuzuari nuk u paraqit as sot në seancë, ndonëse ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë.

Rafet Brahimi akuzohet nga Prokuroria e Mitrovicës se në tetor të vitit 2014 në zyrën e Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka bërë lajmërim të rremë të personit zyrtar.

Sipas akuzës, i pandehuri e kishte ditur se personi zyrtar Jusuf Jashari nuk ishte kryerësi i veprës, mirëpo këtë kallëzim e kishte bërë nga mllefi.

Ndërsa në deklaratën e dhënë në Njësinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë ka deklaruar se personi zyrtar Jusuf Jashari, i punësuar në Komunën e Vushtrrisë më 7.10.2009 për lidhjen e kontratës për marrje me qira të objektit Elan me seli në fshatin Sfaraqak me afat për 10 vite i ka marrë para në vlerë prej 10.000 euro, ndërsa më 1.10.2014 prapë ka deklaruar se nuk është e vërtetë ajo çka ka thënë në deklaratën e parë dhe arsyeja se pse kishte deklaruar fillimisht ashtu ka qenë nga mllefi.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale lajmërim apo kallëzim i rremë.

Prandaj, seanca gjyqësore e planifikuar të mbahej sot ka dështuar.

Gjykatësi Gëzim Ademi ka njoftuar se seanca shtyhet në afat të pacaktuar.