Arrestimi i zyrtarit të komunës së Gjilanit për ryshfet. Foto:Kallxo.com

Gjilan, burg për zyrtarin e komunës që u kap duke marrë 2,000 euro ryshfet

Bashkim Bunjaku, pak orë pasi pranoi fajësinë në seancën e paradites për veprën penale marrje ryshfeti, u dënua nga Gjykata e Gjilanit me 1 vit burgim dhe 1000 euro gjobë.

Po ashtu si dënim plotësues atij iu shqiptua edhe masa e ndalimit të ushtrimit të detyrës në administratë publike dhe shërbim publik në afat prej 1 viti pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi Kryetar, Naser Maliqi e Menderes Behluli anëtarë, njoftuan se i pandehuri shpallet fajtor mbi bazën e pranimit të fajësisë dhe provave materiale.

Nga shpallja e aktgjykimit ndaj Bashkim Bunjakut. Foto: Kallxo.com

Pranimi i fajësisë dhe fakti që i akuzuari nuk ka qenë më parë i dënuar për ndonjë vepër penale janë marrë nga gjykata si rrethana lehtësuese nga gjykata.

Kurse si rrethanë rënduese mori parasysh faktin se i pandehuri e ka kryer veprën në dashje direkte me qëllim përfitimi pasuror.

https://kallxo.com/zyrtari-i-gjilanit-qe-u-filmua-duke-marre-para-pranon-fajesine/

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arben Kadriu thuhet se Bashkim Bunjaku akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti sepse në cilësinë e zyrtarit për tatim në pronë, pranë Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në shumë prej 2000 euro nga Arbër Emini.

Ai akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në kuadër të autorizimeve të tij të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare për ta bërë pagesën nga llogaria e komunës për kompensim për shpronësimin e tokës së Ragip Rashitit në vlerë prej 65.072,00 euro dhe pasi që Ragip Rashitit i është bërë më shumë se gjysma e pagesës së kompensimit, më 22 qershor 2018, në orën 11:45 në Gjilan në parkingun e një pompe të benzinës , pas marrëveshjes paraprake janë takuar me të dëmtuarin Arbër Emini, ku i pandehuri Bashkim Bunjaku i mori të hollat nga ai në vlerën prej 2000 eurosh, dhe pas intervenimit nga Policia e Kosovës u arrestua dhe iu sekuestruan të hollat.

Operacioni i arrestimit të Bunjakut ishte transmetuar në një hulumtim të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në shtator të këtij viti.

https://kallxo.com/video-momenti-i-arrestimit-per-ryshfet-te-zyrtarit-komunal-te-gjilanit/

Kundër këtij vendimi palët mund të ushtrojnë ankesë gjykatë të Apelit, brenda 15 dite nga pranimi i këtij vendimi.