Gjendja e pacientëve me COVID-19 nëpër klinikat e QKUK-së

Klinika për sëmundje ngjitëse apo Klinika Infektive në QKUK aktualisht ka të shtrirë 110 pacientë me COVID-19, 60% e tyre janë duke u asistuar me oksigjeno – terapi dhe gjashtë të tjerë janë me maskë CPAP.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com u.d. e drejtorisë në Klinikën Infektive, Lindita Ajazaj– Berisha.

Ajo gjithashtu theksoi se brenda ditës vazhdimisht lirohen pacientët për në shtëpi, por në rast se mbushen gjithë kapacitetet e Infektivës pacientët i orientojnë për në klinikën Interne apo COVID3.

“Ne i kemi kapacitetet aq sa i kemi, por brenda ditës vazhdimisht lirohen pacientë, dje janë liruar 10 (pacientë)  janë pranuar 10 (pacientë), në momentin që mbushen kapacitetet e klinikës Infektive atëherë pacientët orientohen në COVID3 – pjesa internistike”, tregoi ajo.

Përveç Klinikës Infektive pacientë me coronavirus janë duke trajtuar edhe Klinikën Interne apo COVID3, mjekimi intensiv qendrorë si dhe në Pulmologji trajtohen personat e dyshimtë për coronavirus.

COVID-19 ka prekur edhe gratë shtatzëna

Në Klinikën e Gjinekologjisë janë duke u trajtuar gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19.

Drejtori i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, Jakup Ismajli, konfirmoi për KALLXO.com se aktualisht janë katër paciente të infektuara me SARS-CoV-2, ndërsa foshnjat e tyre kanë rezultuar negativë.

Në këtë klinikë nga 20 shtretër sa janë gjithsej, 16 prej tyre janë të lirë.

Nëpër Institucionet shëndetësore në vend aktualisht janë 838 shtretër të ndarë për trajtimin e pacientëve me coronavirusi, përderisa dje Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 876 pacientë janë duke marrë tretman mjekësore nëpër klinika dhe spitale të Kosovës.

Mjekët e infektuar në nivel vendi

Mantelbardhët kanë qenë në vijën e parë të frontit që nga dita e parë kur në vend janë marrë mostrat e para për coronavirus, dhe me të paraqitur rasti i parë i infeksionit me SARS-CoV-2 e gjithë ‘vëmendja’ u orientua tek Institucionet shëndetësore në vend.

Shqetësues është fakti që në Kosovë është duke u rritur numri i mantelbardhëve të infektuar me SARS-CoV-2.

Sot Spitali i Pejës ka bërë të ditur se 10 mjekë dhe 12 infermierë janë të infektuar me SARS-CoV-2, përderisa dje nga spitali Regjional i Ferizajt kanë bërë të ditur se tre mjekë dhe tre infermierë tashmë janë infektuar me pandeminë e coronavirusit.

Kujtojmë se Kosova aktualisht ka 4,578 mjekë në nivel vendi, 20 % e tyre deri më tani janë infektuar me COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë 34,940 persona të infektruar me coronavirus, ndërsa 926 kanë vdekur si pasojë e infeksionit.