Gërvalla zhvillon takim virtual me homologen suedeze Ann Linde, diskutojnë për dialogun

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim virtual me homologen e saj suedeze Ann Linde.

Në komunikatën për media, të dërguar nga MPJD bëhet e ditur se Gërvalla ka falënderuar homologen e saj për ndihmën që Suedia i ka thënë Kosovës.

“Ministrja Gërvalla, ka theksuar se Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përherë mirënjohës për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Suedia i ka ofruar Kosovës ndër vite. Ajo ka veçuar kontributin e Suedisë përmes prezencës në KFOR dhe gjithashtu bashkëpunimin suedez për zhvillim”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Gërvalla ka njoftuar ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë me zhvillimet politike në vend si dhe prioritet e Qeverisë së re në veçanti forcimi i rendit dhe ligjit.

Sipas njoftimit, temë diskutimi ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral.

Ndërsa palët kanë diskutuar  edhe për politikat e jashtme feministe dhe nevojën për të shkëmbyer përvojat në këtë drejtim dhe gjithashtu për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e kulturës.

Sipas komunikatës së MPJD-së, Gërvalla dhe homologia Ann Linde kanë diskutuar për diasporën dhe dialogun

“U fol edhe për diasporën shqiptare në Suedi, për çka u theksua se është mirë e integruar atje. Po ashtu folën edhe për të ardhmen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim