Kandidatet e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Fuqizimi i grave, Jaha: LDK-ja veçse e ka bërë hapin e parë

Fatlume Jaha, kandidate për deputete nga LDK-ja, ka folur për fuqizimin e gruas gjatë emisionit “DebatPërnime”, më 12.01.2025.

Ajo tha se nuk ka formë më të mirë për t’i fuqizuar gratë se sa t’i fuqizosh ato në aspektin ekonomik.

E, sipas saj, LDK-ja veçse ka filluar ta bëjë këtë gjë.

“Konsideroj se LDK veçse e ka bërë hapin e parë për ta bërë këtë [fuqizimin e gruas] përmes shkollës tërëditore, sepse e ka bërë një lehtësi shumë të madhe për nënat.” – tha ajo.

Ndërsa, kandidatja tjetër për deputete, Sibel Halimi, e cila njëherësh është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, duke folur në nivel të konstatimeve tha se deri më tani nuk kanë parë asgjë konkrete nga partia në pushtet për ta parandaluar vrasjen e grave.

Halimi tha që është ithtare e përfshirjes së një lënde specifike në sistemin parauniversitar, e cila do të bënte me njohuritë mbi gjininë. Po ashtu, ajo premtoi që gratë do t’i përfshijnë në tregun e punës, do t’u ofrojnë politika miqësore, do të përfshijnë Ligjin e Prindërimit dhe ta zhdukin hendekun mes sferës publike dhe private për jetën e grave në Kosovë.

“Në këtë Sistem të Drejtësisë që është jashtëzakonisht i brishtë, me një diskurs publik i cili denigron të gjitha hallkat e funksionimit të Sistemit të Drejtësisë, natyrisht që gratë ndihen të pambrojtura dhe janë në një pozitë, ku më nuk u besojnë as institucioneve të sigurisë.” – tha Halimi.

Se a do t’i largojnë nga puna policët e Kosovës që i kanë rrahur bashkëshortet, Halimi tha se “jo vetëm nëse ndodhë akti i dhunës, por edhe në qoftë se përdoret gjuhë denigruese apo atakim emocional do të merren masa”.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

LDK premton në “Debat Përnime” reforma në drejtësi dhe investime kapitale miliardëshe