Funksionalizohen nënkodet buxhetore të institucionet kulturore  

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se janë funksionalizuar nënkodet buxhetorë për institucione kulturore dhe të trashëgimisë në vartësi të MKRS-së.

Përmes një njoftimi për media, MKRS ka bërë të ditur se funksionalizimin i nënkodeve buxhetorë është një fillim i procesit të pavarësimit të institucioneve vartëse në aspektin administrativ.

Institucionet vartëse, thuhet më tej në komunikatën e MKRS-së, përmes zyrtarëve përkatës të trajnuar dhe të certifikuar, vetë do të mund të zotojnë dhe shpenzojnë mjetet financiare në bazë të planit dhe programit të paraparë, ndërsa MKRS-ja bën vetëm certifikimin e shpenzimeve.

Funksionalizimin e nënkodeve, sipas komunikatës ministrja Vlora Dumoshi, e ka vlerësuar si një proces konform ligjit dhe rekomandimeve, i cili institucioneve ua mundëson një performancë më të mirë dhe redukton procedurat burokratike.

“Ndarja e nënkodeve buxhetore për institucionet vartëse të MKRS-së është një lloj decentralizimi dhe pavarësimi financiar administrativ, ashtu që vetë institucionet të kenë mundësi vetë të bëjnë planifikimin e shpenzimeve dhe zotimin e mjeteve financiare për punët që vet institucionet kryejnë çdo ditë. Kjo gjë mundëson zvogëlimin e procedurave burokratike dhe në anën tjetër e rrit performancën dhe efikasitetin e punës së institucioneve të kulturës e të trashëgimisë për shkak të planifikimit të më mirë”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi ka bërë të ditur se çështja e nënkodeve buxhetore ishte një prej shqetësimeve të shprehura në vazhdimësi gjatë takimeve që ka pasur me herët (shih fotot) me drejtues të institucioneve dhe sipas saj, pajisja e institucioneve me nënkode të posaçme buxhetore, këtyre institucioneve u krijon lehtësira të jashtëzakonshme.