Florim Ejupi e denoncon presidentin e Serbisë në Gjermani

Florim Ejupi, emri i të cilit u lakua dje nga presidenti i Serbisë duke u akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e ka denoncuar sot presidentin e Serbisë në autoritetet gjermane.

Ejupi, kosovar që jeton në Gjermani, u akuzua nga presidenti Vuçiq lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa pas deklaratave të presidentit Vuçiq edhe mediat e Serbisë e shpërndanë këtë deklaratë duke e vendosur kështu Ejupin në qendër të ballinave të mediave serbe.

Lidhur me rastin në fjalë, avokati i Florim Ejupit, Mahmut Halimi për KALLXO.com ka thënë se Florim Ejupi përmes telefonit e ka njoftuar se e ka lajmëruar rastin në autoritetet e Gjermanisë.

“Para një ore u dëgjuam përmes telefonit, më tregoj që menjëherë ka shkuar dhe është drejtuar në organe të Gjermanisë atje e ka denoncuar rastin në Polici dhe se ata kanë mbet me ndërmarrë masa të mëtejme”, tha për KALLXO.com avokati Mahmut Halimi.

Sipas avokatit Halimi, Florim Ejupi kur e ka denoncuar rastin tek autoritetet gjermane atyre u ka thënë se ai dhe familjarët e tij po ndjehen të rrezikuar nga autoritetet Serbe.

“Më kanë denoncuar pa pikë baze unë jam këtu ku jam për çdo ditë jam këndej as nuk kam lidhje me njerëz të Kosovës as me askënd të gjallë, nuk jam i përzier në atë punë. Jam i rrezikuar se munden organet serbe me ndërmarrë ndonjë veprim ndaj meje dhe ndaj familjes pavarësisht se ndodhëm këtu në Gjermani. Prandaj po dua ta shpreh shqetësimin tim të ju njoftoj ju”, deklaroi avokati Halimi tu ketë thënë Florim Ejupi autoriteteve Gjermane.

Florim Ejupi më parë ka qenë i akuzuar si i përfshirë kryesor në një sulm të vitit 2001 ndaj një autobusi me serbë, sulm nga i cili humbën jetën 12 persona dhe u plagosen 40 të tjerë.

Ndonëse fillimisht atij i ishte shqiptuar dënim me burgim prej 40 vjetëve, në vitin 2009 Ejupi është liruar nga burgimi në mungesë të provave.