Flora Brovina fshihet prapa imunitetit flet vetëm nga kuvendi për fotografinë?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovë Flora Brovina u largua e heshtur pas intervistimit nga Policia e Kosovës dhe nuk deshti te deklarohej për mediat e pranishme,  ndërsa në më pak se një orë më vonë, ajo u paraqit përsëri në oborrin e Kuvendit të Kosovës ku deklarua për media.

Për dallim nga deklarimet e djeshme nga Kuvendin i Kosovës  ku me anë të një fotografie pretendoi se po shfaqte dhunimin e një gruaje shqiptare 35 vjeçare sot pas intervistimit nga Policia e Kosovës, tha se fotoja ishte e falsifikuar ndërsa përmendi një aktivist që i kishte dhuruar atë foto nga viti 2003.

Brovina madje gjatë deklarimit të saj përmendi edhe emrin e një gruaje duke e ndërlidhur me këtë foto.

Përderisa, Prokuroria ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse fotografia është e falsifikuar apo jo dhe gjithashtu nuk kanë njoftuar nëse do të trajtojnë deklarimin e Brovinës, kjo e fundit të paktën sipas ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes duket se gëzon imunitet për fjalën e dhënë dhe nuk do të mund të paditet për shpifje dhe fyerje.

Pika a) e nenit 9 të Ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes përcakton se një person gëzon imunitet për deklaratat e dhëna gjatë punimeve në Kuvendin e Kosovës.

“Çdo deklaratë e bërë gjatë punimeve të organeve legjislative, duke përfshirë anëtarët e zgjedhur, si në debatet e hapura ashtu edhe në komisione, dhe nga dëshmitarët e thirrur për tu dhënë dëshmi komisioneve parlamentare”, përcaktohet në Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes.

Një interpretim më i gjerë  këtij përcaktimi të Ligjit  mund t’i ofrojë imunitet Brovinës për deklarimet e dhëna në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së djeshme dhe sot dhe rrjedhimisht ajo nuk do të mund të paditej për shpifje dhe fyerje.

KALLXO.com dje raportoi se Prokuroria Speciale e Kosovës do të dërgojë fotografinë e shfaqur nga Brovina në ekspertizë kibernetike për të përcaktuar nëse është origjinale apo jo pasi disa media raportuan se fotografia në fakt derivon nga një film pornografik.

Publikimi i fotografisë eksplicite ku shiheshin disa burra teksa dhunonin një grua shqetësoi opinionin publik kosovar teksa zgjoi një varg të kritikave ndaj Brovinës  për publikimin e fotografisë dhe shqetësimin që mund t’u ketë risjellur viktimave, mirëpo disa ora më vonë mediat raportuan se fotografia në fakt ishte gjeneruar nga një film pornografik dhe nuk kishte të bënte me Kosovën.

Një ditë më pas, pasi u intervistua nga Policia, Brovina pranoi se fotografia ishte e falsifikuar.

“Kurrë s’kam menduar që dikush mund të më sjell fotografi te cilat nuk janë të verifikuara dhe te sakta. Nuk kam menduar qe kjo fotografi nuk donte jete e sakte. Saktësinë e kësaj fotografie do ta zhvillojnë autoritetet e shtetit.  Këtë dokument e ruaj në mesin e shume dokumenteve të tjera që nga viti 2003. Tash pas shumë kohësh të dalë ky dokument që nuk është i vërtetë… më është thënë që kjo fotografi është bërë në zonën e Dukagjinit. Më ka dhënë një aktivist këtë fotografi emrin nuk e di e kam harruar”, tha Brovina.

Ajo madje ka përmendur Mevlude Saraqin aktivisten e cila sipas Brovinës ia kishte dërguar këtë fotografi në një zarf. Në anën tjetër Saraqi ka mohuar ti ketë dërguar këtë përmbajtje deputetes Brovina.

 

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!