Fillon rrënimi i shtëpisë që mori jetën e 3-vjeçares në Prizren

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren sot në mëngjes ka filluar largimin e pengesave dhe gypave të betonit që qëndronin përreth 2 shtëpive në rrugën “Marin Barleti”.

Të dy shtëpitë pritet të rrënohen meqë paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

Në njërën nga këto shtëpi, me 6 qershor të vitit 2016 kishte humbur jetën 3 vjeçarja, Xheneta Gashi, si pasojë e shembjes së një pjese të shtëpisë.

Drejtori i Inspektoratit në Prizren, Islam Thaçi për Kallxo.com tha se rrënimi i këtyre shtëpive do të bëhet brenda 8-9 ditëve.

Si parakusht për rrënimin e tyre, Drejtoria e Inspektorateve është pajisur pëlqimin e Ministrisë së Kulturës, si dhe ka siguruar lejen e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike për rrënimin e tyre.

Këto dy parcela ku po bëhet rrënimi i objekteve i përkasin projektit të “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”.

Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata “EC ma ndryshe”.

Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe Komuna e Prizrenit.

Drejtori Thaçi tha se kjo pjesë do të rivitalizohet dhe rindërtohet.

Kallxo.com ka raportuar se rrënimi i objekteve në fjalë i planifikuar për muajt mars-prill ishte prolonguar në mungesë të mjeteve.

Kur kanë kaluar 3 vite pas ngjarjes tragjike, ish-drejtorit të Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiç po përballet me aktakuzat e prokurorisë lidhur me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Marin Barleti”.

Prokuroria e Prizrenit akuzon Ejupagiçin se në mënyrë indirekte ka shkaktuar vdekjen e saj, duke mos vendosur pajisje mbrojtëse përreth shtëpive që kishin rrezik të shembeshin.

Sipas Prokurorisë, ish-drejtorin Ejupagiç, e ngarkon me dy vepra penale dhe atë shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mos-evitim i rrezikut.

https://kallxo.com/rrefimi-me-lot-ne-sy-i-nenes-se-3-vjecares-xheneta-gashi-para-gjykates/