Lagja e Ilir Zeqirit FOTO: KALLXO.com

Familjarët: Veterani i vrarë në Skenderaj shpresonte se natën e vrasjes do i merrte paratë

Vrasja e veteranit Ilir Zeqiri nga Skenderaj dyshohet së u bë për shkak të një borxhi që i dyshuari i kishte pasur të ndjerit.

Njëri nga të dyshuarit është Halil Fejza i cili e ka pohuar në Gjykatën e Mitrovicës se e ka vrarë Zeqirin për 9000 euro borxh që ia kishte atij.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar sot shtëpinë e veteranit.

Sipas familjarëve, veterani kishte marrë kredi kohë më parë dhe paratë i kishte pasur të ruajtura.

Prapa kamerës një familjare e afërt ka deklaruar se ishin në dijeni për borxhin që ia kishin atij, por siç thotë ajo, i ndjeri kishte dalë nga shtëpia me qëllimin që Fejza do t’ia jepte paratë.

“E ka pas marrë ma moti një kredi si veteran, i ka pas paret edhe ja ka dhanë qe dy-tre muaj qashtu ja ka lyp. Edhe gjithë ja ka shty, jo sot, jo qit javë t’i jepi. Na e kem ditë, na ka tregu, prej shtëpisë ka dalë na ka thanë sot mi jep paret, në orën 4 e kanë lanë me u taku, kurrë si ka shku mendja që ndodhë kështu”, u shpreh ajo.

Ajo thotë se i ndjeri punonte si taksist dhe se nuk kishte pasur probleme më parë me askënd.

Ilir Zeqiri nga fshati Kopiliq i Epërm u gjet i djegur në veturën e tij më 8 prill në fshatin Prekaz i Epërm në Skenderaj.

Prokuroria e kishte cilësuar rastin si vrasje, pasi që afër veturës janë gjetur disa gëzhoja të armës.

Ndërkaq, të premten, Policia e Kosovës ka arrestuar si të dyshuar Halil Fejzën 31 vjeçar dhe Korab Imerin 19 vjeçar, të dy nga fshati Vojnikë i Skenderajt, të njëjtëve iu është caktuar 1 muaj paraburgim nga Gjykata e Mitrovicës.

48 vjeçari pas vetës la bashkëshorten, dy vajza dhe një djalë.

Prokuroria e Mitrovicës ka bërë të ditur se  Ilir Zeqiri, është emri i njërit prej dëshmitarëve në rastin e vrasjes së policit Valon Goxhuli në Skenderaj në vitin 2015.

https://kallxo.com/vrasja-e-ilir-zeqirit-ne-skenderaj-arrestohen-dy-te-dyshuar/