Enver Hasani, ish-rektor i UP-së | Foto: KALLXO.com
Enver Hasani me Aktakuzë, Rama-Hajrizi Lirohet prej Hetimeve
Prokuroria Speciale e Kosovës të mërkurën ka ngritur aktakuzë kundër ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani nën dyshimin se ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndaj të dyshuarit Hasani, është pushuar hetimi për një vepër penale për të cilën ka qenë duke u hetuar, por prokuroria nuk specifikon se për cilën vepër bëhet fjalë.
Po ashtu, prokuroria ka pushuar hetimet ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, në mungesë të provave për veprën penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar.
Informacioni është bërë i ditur nga Zyra për Informim e Prokurorisë së Shteti.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës – me dashje, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në rastin e kërkesës së Presidentes së Kosovës lidhur me dekretin që kishte të bënte me gjyqtarët ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“…në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tre persona”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Emisioni Jeta në Kosovë më 9 nëntor 2014, kishte raportuar për rrugën e cila çoi deri te vazhdimi i mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
http://kallxo.com/sonte-jeta-ne-kosove-afera-zarfi-2/
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, i pandehuri Hasani me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari, si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.
“Andaj me këto veprime i pandehuri ka kryer veprat e lartcekura penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.
Enver Hasani po gjykohet edhe për mashtrim kur si ish-rektor i UP-së kishte nënshkruar kontratë për përkthimin e librave në gjuhën shqipe për nevojat e universitetit.