E dëmtuara dëshmon kundër avokatit të dyshuar për mashtrim

Në gjykimin ndaj avokatit Haxhi Çekaj i cili akuzohet për mashtrim të një klienti gjatë kryerjes së detyrës së tij si avokat, përfundoi dëshminë e dëmtuara e këtij rasti Mirjeta Imeraj.

Avokati Haxhi Çekaj po akuzohet për mashtrim të bijës së njërit nga klientët e tij me ç’rast sipas prokurorisë i akuzuari në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar shumën prej afro 83 mijë eurove.

Në këtë seancë e dëmtuara Mirjeta Imeraj e vazhdoi dëshminë e saj duke u përgjigjur në pyetjet avokatit të të akuzuarit, Besnik Berisha.

Gjatë kësaj seance gjyqësore avokati Berisha gjatë gjithë kohës e përballi të dëmtuarën me deklaratat e saj të dhëna lidhur me këtë rast.

Ai kërkoi të dijë nga e dëmtuara se pse ajo kishte thënë se avokati Haxhi Çekaj nuk e ka informuar atë për rastin ndaj babait të saj që sipas avokatit Berisha nuk është aspak e vërtetë pas që në një videoincizim dëshmohet e kundërta.

“Nuk keni pasur asnjë njoftim se çka po ndodh me punën e avokatit në interes të babës tuaj e në veçanti në disa momente kritike ju keni thënë se nuk më ka njoftuar …Në një incizim tuajin që ju vetë e keni bërë së paku në pesë raste ju e pyesni Z. Çekaj nëse ky kishte biseduar me dy gjyqtaret që ishin në trupin gjykues në rastin ndaj prindit tuaj dhe ky mohonte se ka arritur të bisedoj për shkak sepse njëra kishte rast vdekje e tjetrën nuk kishte arritur ta takoj. A mund të na tregosh se pse ky dallim në mes asaj se çka na keni thënë dhe në mes asaj çka dëgjohet në video incizim?”, e pyeti avokati të dëmtuarën.

Lidhur me këtë, e dëmtuara tha se ajo ‘ asnjëherë nuk ka thënë që avokati nuk e ka informuarpër punën që e ka bërë”.

“Në disa raste më ka informuar për procesin për të cilin po zhvillohej por në disa raste nuk jam informuar”, shtoi e dëmtuara.

Avokati Berisha, të dëmtuarën e pyeti edhe lidhur me një ekspertizë nga Shqipëria e cila ishte bërë lidhur me rastin e babit të saj, për të cilën e dëmtuara kishte deklaruar se avokati Haxhi Çekaj nuk ja kishte treguar asnjëherë.

“A e mban në mend se atë ditë në atë incizim keni diskutuar për ekspertizën e Shqipërisë, a e mban në mend se në atë bisedë Z. Çekaj ta ka kujtuar se në zyrën e tij ta ka përmendur konstatimin e asaj ekspertize…a mund të na tregosh se pse ne na ke thënë se ti kurrë nuk e ke parë atë ekspertizë?”, e pyeti avokati të dëmtuarën.

Lidhur me çka e dëmtuara u betua se fizikisht nuk e kishte parë asnjëherë këtë ekspertizë por që avokati asaj vetëm i kishte treguar se çka përmban ajo ekspertizë.

“D.m.th. juve ju është lexuar përmbajtja e ekspertizës në zyre të Z.Çekaj, ju është bërë me dije se një provë e tillë është dorëzuar në Prokurori dhe Gjykatë, atëherë pse po i thua Prokurorisë dhe Gjykatës se të ka mashtruar avokati kur i paske ditur të gjitha”, ju drejtua përsëri avokati të dëmtuarës.

Ndërsa e dëmtuara iu përgjigj avokatit se ajo kishte pasur arsye për dyshim nëse ka ekzistuar kjo ekspertizë apo jo pasi që ajo asnjëherë nuk e ka parë fizikisht këtë ekspertizë deri në momentin kur e ka angazhuar një avokat tjetër në këtë rast.

Madje ajo tha se këtë rrethanë e konsideron si mashtrim nga ana e avokatit pasi që tha se konsideron se ekspertiza nuk ka qenë e plotë dhe nuk ka provuar asgjë prej asaj se çka ajo ka pritur.

Tutje avokati Berisha, të dëmtuarën e pyeti nëse e njëjta ishte marrë ndonjëherë në pyetje lidhur me dyshimet për dhënie të ryshfetit pasi që sipas avokatit në një video incizim të dorëzuar nga vetë e dëmtuara në polici, dëgjohet ajo duke i thënë avokatit Çekaj “Shko fol me ta se ti e di se në Norvegji më duhet kohë me i tërheq paret në bankë”.

Për çka e dëmtuara e mohoi se ajo i kishte përmendur avokatit paratë por tha se ai i kishte thënë se:”Më ka thënë Nusha(gjykatësja) a jeni në ato fjalë na duhet me vepru kështu, unë i kam thënë mua më duhet kohë”, tha Imeraj.

Më pas avokati Berisha e pyeti të dëmtuarën nëse ajo e konsideronte vetëm të dëmtuar për shkak se mendon se mbrojtja nuk ka qenë efikase, apo sepse avokati Çekaj i kishte premtuar se do të ja lironte babanë nëse ajo i jepte një shumë të konsiderueshme të parave.

“Kur avokati e mashtron klientin e vetë, atëherë nuk ka vlerë ky avokat, është zero”, u përgjigj shkurt lidhur me këtë pyetje e dëmtuara.

Procesi gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Valbona Musliu Selimaj, Naime Krasniqi Jashanica si dhe Vesel Ismajli ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori special Sylë Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.