“E bonëm adetin”: Organizimi i “BunarFest” në Lumbardhin e Prizrenit

Me moton “E bonëm adetin” është mbajtur festivali “BunarFest” apo lëshimi me goma në Lumbardhin e Prizrenit.

Organizatori Dren Marseli ka treguar për KALLXO.com lidhur me organizimin e këtij festivali tradicional dhe për sfidat e këtij edicioni “jo tradicional” dhe të veçantë, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.

VIDEO – BUNARFEST

“Edicioni i sivjetmë i “BunarFest” kishte sfidat e veta, pasi që ndryshe nga herët e kaluara, sivjet kemi qenë tejet të kufizuar në mënyrën e organizimit të aktiviteteve për shkak të masave kundër pandemisë”, ka thënë Marseli.

Sipas tij, ky edicion nuk u organizua në data e zakonshme që janë fundi i muajit maj apo fillimi i muajit qershor për shkak të pandemisë. “Në vend të kësaj u detyruam të organizojmë gjatë muajit shtator/tetor, edhe pse kushtet atmosferike dhe niveli i ujit në lum në ketë kohe nuk janë të përshtatshëm për organizimin e festivalit”, shtoi ai.

Përkundër sfidave dhe vështirësive edicioni i këtij viti u realizua në mënyrë të suksesshme, ku si organizatorë janë kujdesur të mos ketë grumbullim të njerëzve dhe në të njëjtën kohë nëpërmjet rrejteve sociale me foto dhe video kanë informuar për organizimin e Bunarfestit këtë vit.

E veçanta e këtij edicioni ishte tryeza e diskutimit, në të cilën organizatorët kanë diskutuar për dy tema të rëndësishme, atë të ndërtimit të hidrocentraleve dhe problemet ekzistuese te lumi i Lumbardhit në veçanti.

“Në anën tjetër, aktivitetet e përhershme te festivalit, siç janë gara e lëshimit me goma dhe performanca muzikore, të cilat i kemi organizuar tradicionalisht çdo vjet, kësaj radhe i kemi modifikuar paksa duke iu përshtatur masave të pandemisë dhe duke ia prezantuar publikut kryesisht në formën online nëpërmjet video incizimeve dhe fotografive”, ka thënë Dren Marseli për KALLXO.com.

Sipas tij, qëllimi i organizimit të këtyre aktiviteteve ka qenë vazhdimi i traditës dhe dokumentimi i festivalit me foto dhe video materiale që do të shërbejë në promovim të festivalit dhe qytetit të Prizrenit.

Dren Marseli ka folur edhe për mundësinë që ky festival të organizohet në ndonjë qytet tjetër pos Prizrenit.

“Prizreni dhe Lumbardhi kanë karakteristikat e veçanta nga çdo vend tjetër në Kosovë dhe më gjerë, prandaj edhe festivali “BunarFest” zhvillohet ne këtë vend, dhe vet aktiviteti i lëshimit me goma në lum ka qenë një traditë e kahershme në Prizren, kështu që edhe organizimi i festivalit në këtë qytet ka qenë e natyrshme”, thotë Marseli.

Tani kur janë mbajtur 16 edicione ne Prizren, festivali dhe qyteti janë bërë sinonim për njeri-tjetrin prandaj, sipas Marselit, organizimi i festivalit diku tjetër tani duket sikur jo e natyrshme, por kjo megjithatë nuk do të thotë se si organizatë nuk do te realizojnë ndonjë aktivitet tjetër në komunat e tjera të Kosovës.