Dosja e Prokurorisë: Si e transportoi grupi drogën nga Mitrovica në Pejë për 100 euro?

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të pandehurin në veturën e të cilit, Njësia e Reagimit të Shpejtë ka gjetur mbrëmë 10 kilogram me drogë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i të pandehurit, Elvir Imeri.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e klientit tim, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”, ka thënë avokati.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për paraburgimin e të pandehurit B.R.

Në kërkesë thuhet se i pandehuri B.R, kishte ardhur nga Pejë në Mitrovicë për t’u takuar me shokun e tij, dhe në ndërkohë, shoku i vëllait të tij, D.S, i ka kërkuar veturën, pasi i duhej të shkonte në Veri të Mitrovicës.

Sipas deklaratës të të pandehurit, pas në ore, shoku i vëllait i ka kthyer veturën dhe i ka treguar se në automjet ka diçka të cilën duhet t’a dërgoj në Pejë, dhe si shpërblim i ka premtuar 100 euro.

Në kërkesën për paraburgim thuhet se i pandehuri, kur është ndaluar nga policia,  nuk ka qenë i informuar se në veturën e tij kishte një thes me drogë, pasi shoku i vëllait të tij i kishte thënë se ka diçka por nuk është e rrezikshme.

Në kërkesë thuhet se i pandehuri ka deklaruar se në veturë është gjetur edhe në thikë për të cilën ka thënë se është e shokut të vëllait të tij, e jo e tij.

Në raport thuhet se pas një pune hetimore është arritur të identifikohet edhe i dyshuari D.S, shoku i vëllait të tij,  për të cilin i pandehuri pretendon se ishte droga e tij.

KALLXO.com ka raportuar sot se më shumë se 10 kilogramë drogë janë gjetur dje në një veturë nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, droga është konfiskuar gjatë një pike kontrolli, ku është ndaluar një veturë Golf 2, dhe gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit në fjalë është gjetur një thes i mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Në lidhje me këtë rast është arrestuar i dyshuari B.R., 29 vjeçar, dhe si dëshmi materiale është konfiskuar paketimi-thesi i mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ku pesha e përgjithshme rezulton rreth 10 kilogramë e 550 gramë.