Dosja e gjykatës ndaj dy të arresturve të fundit në rastin 'Brezovica'

Gjyjata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dushyarve në rastin e njohur “Brezovica”.

Të pandehurit Nenad Gligorijeviq dhe Sasha Iliq po ngarkohen për veprën penale marrja e ryshfetit në ndihmë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së mërkurë(16 mars) për arrestimin e dy të dyshuarve në aksionin Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Ferizajt.

KALLXO.com ka siguruar kerkesën për paraburgim të cilën e ka bërë Prokuroria e Ferizajt.

Gligoreviq sipas prokurorisë po dyshohet se nga viti 2014, në Shtërpcë, ka ndihmuar personin zyrtar në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, në atë mënyrë që i ka premtuar të pandehurit Bratislav Nikoliq që paratë e fituara nga vepra penale do t’i investojë në biznese të caktuara siç janë motorrat e borës në qendrën e skijimit, ndërtimin e vikend-shtëpizës në qendrën e skijimit, në zonën e parë të Parkut Kombëtar “Sharri”, kafiteri dhe objekt hotelier në ndërtim në hyrje të Brezovicës, kurse fitimin e realizuar e ndan me të pandehurin Bratislav Nikoliq, ish-Kryetarin e Komunës së Shtërpcës.

Me këto veprime Gligorijeviq po dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

I arrestuari tjetër Sasha Iliq sipas prokurorisë dyshohet se nga viti 2010, në Shtërpcë, ka ndihmuar personin zyrtar në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, në atë mënyrë që si zyrtar në Komunën e Shtërpcës, ka ndërmjetësuar në marrjen e parave në shuma nga 10 mijë euro deri në 30 mijë euro nga personat fizik dhe juridik, për t’iu mundësuar ndërtimin në Parkun Kombëtar “Sharri”, vikend-zona e Brezovicës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, kurse me paratë që i ka marrë si ryshfet , kanë blerë prona të paluajtshme në vikend-zonën, bashkë me të pandehurin ish-Kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, të cilat janë regjistruar në emër të të pandehurit Sasha, me qëllim që të fshehen nga zbulimi dhe konfiskimi.

Edhe ky sipas prokurorisë dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth rastit ‘Brezovica’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK